Interi nuk ndalet, mposhti 2-0 Udinese dhe kaloi në çerekfinalet e Kupës së Italisë, ku do të përballet me Lazion. Zikaltrit e zhbllokuan rezultatin në minutën e 30-të me golin e Arnautovic, ndërsa dyfishimi erdhi në fund të pjesës së parë me një gol të Asllanit, direkt nga goditja e këndit.
Në pjesën e dytë, skuadra e trajnerit Inzaghi menaxhoi avantazhin e dyfishtë, duke e lënë portierin Martinez thuajse të papunë. Këto ishin fjalët e Davide Frattesi pas ndeshjes për “Inter TV”: “Jam i lumtur për Arnautovic dhe Asllani që shënuan.
Kristjani duhet të ofrojë diçka (t’i qerasë shokët e skuadrës), sepse të realizosh një gol “olimpik” (direkt nga këndi) nuk është për çdo lojtar. Pas eliminimit nga Bologna sezonin e kaluar kishte një atmosferë ‘hakmarrjeje” brenda nesh.
Duam t’i shkojmë deri në fund edhe këtij kompeticioni. E pyeta Asllanin nëse dëshironte me të vërtetë ta realizonte ashtu golin. Ai nuk m’u përgjigj, por besoj se do të më ofrojë një darkë…”