Asllani pret momentin e “shenjtërimit” tek Interi, nga tani e tutje luhet e ardhmja e tij

22 Nëntor 2024
11:38
Alfred Lleshi
back button

Kristjan Asllani pritet të ketë një tjetër mundësi të shtunën pasdite, kur Interi të përballet me Hellas Verona. Mesfushori shqiptar ka pritur momentin e tij për dy vite dhe është në kërkim të konfirmimit në këtë fazë të rëndësishme të sezonit. Në këtë edicion, ai ka luajtur vetëm në 6 nga 16 ndeshjet e zhvilluara deri më tani, pjesërisht për shkak të një dëmtimi që e mbajti jashtë fushe pikërisht kur edhe Calhanoglu mungonte për probleme fizike.

Sipas “Gazzetta dello Sport”, Asllani synon të fitojë hapësirë për të bindur drejtuesit që investimi prej 14 milionë eurosh për të ka qenë i drejtë, ashtu si edhe rinovimi i tij deri në vitin 2028. Për të lindurin në vitin 2002, kjo periudhë e sezonit mund të jetë vendimtare për të ardhmen.

Në një intervistë për “SportMediaset”, Asllani foli mbi mundësinë e të qenit titullar në ndeshjen e javës së 13-të të Serie A: “A jam gati? E kam thënë gjithmonë, ndihem shumë më i rritur. Gjithçka që më jepet, qoftë edhe 20 minuta, përpiqem ta shfrytëzoj maksimalisht. Në fund të fundit, jam vetëm 22 vjeç. Diferenca mes rolit tim tek Interi dhe Shqipëria? Nuk ka shumë ndryshim. Mund t’i bëj të gjitha rolet e mesfushës, por gjithmonë kam qenë një ‘playmaker’ përpara mbrojtjes, e preferoj atë pozicion”.

Asllani gjithashtu komentoi mbi konkurrencën në Serie A: “Skuadra më e fortë? Nuk e di, ka shumë ekipe të forta që kanë bërë një merkato të mirë dhe luajnë për të fituar. Ne fituam sezonin e kaluar dhe është e vështirë të konfirmohesh. Po punojmë për këtë. Pse është e vështirë të konfirmohesh? Sepse, ndoshta pasi ke fituar një herë, mendon se është e mjaftueshme… Sidoqoftë, ne po stërvitemi shumë më fort sesa sezonin e kaluar dhe kemi objektiva të qarta”.

Ndeshja ndaj Hellas Verona mund të jetë një mundësi e artë për Asllanin, që të tregojë vlerat e tij dhe të forcojë pozitat në skuadrën zikaltër, e cila kërkon vazhdimisht rezultate dhe konsistencë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit