Është katalizatori i lojës sonë kuqezi, vendos ekuilibrat mes reparteve të kombëtares. Ndaj Ukrainës pati një mundësi optimale për të shënuar, por në fund ka rëndësi fitorja. Pikërisht kësaj të fundit i gëzohet Kristjan Asllani, i cili pas suksesit 2-1 ndaj ukrainasve në Ligën e Kombeve u shpreh:
“Kjo është një fitore jashtë shtëpisë, ndaj një ekipi që luan shumë mirë futboll. Kishim shumë kohë pa një fitore. Jemi të lumtur, por të shohim përpara, sepse kemi një ndeshje të vështirë të martën me Gjeorgjinë.
Sidoqoftë, na ndihmon shumë kjo fitore, sepse ishte ndeshja e parë. Kur e nis mirë, je një hap para. E dinim që ishte e vështirë ndaj Ukrainës, por provuam të bënim futbollin tonë. Mund të bënim më shumë me topin, por morëm tri pikët dhe kjo i mbulon të gjitha të tjerat. Jemi shumë të lumtur, edhe në dhomën e zhveshjes e menduam faktin se që me Çekinë pa fitore. Na duhej ky triumf dhe jemi të lumtur.
Zënka në fund me Manajn për goditjen e dënimit? Jam shumë shok me Rein, u mërzita në fushë, por mbetet aty. U mërzita se goditja e dënimit më pëlqen shumë, jam stërvitur që i vogël për to. Edhe ai ka një këmbë të mirë, reagova pak keq, sepse u mërzita. Mungonin pak minuta, por asnjë problem me Rein, jemi shumë shokë. U tallëm pastaj, nuk ka problem, po goditjen tjetër të dënimit do ta gjuaj unë”.