“Atë që nuk e bëri Fury do ta realizoj unë”

11 Nëntor 2019
11:24
Gentian Spiri

Boksieri kubanez Luis “King Kong” Ortiz, do të duelojë më 23 nëntor ndaj kampionit të botës në peshën e rëndë, amerikanit Deontay Wilder. Për Ortiz, kjo sfidë është një shans i artë jo vetëm për t’u hakmarrë për humbjen e parë mes tyre (3 mars 2018, me KO teknik në raundin e 10-të), por edhe për t’u bërë kampion bote. Kjo është edhe humbja e vetme e Ortiz në karrierë, që synon të bëhet kampion bote edhe pse përballë ka një rival ende të pamposhtur në ring.

Ortiz, që për herë të fundit ka dueluar në mars të këtij viti, u shpreh: “Jam 40 vjeç, por jam në formë të shkëlqyer. Wilder është kampion bote, por jo një boksier i madh. Tyson Fury e rrezikoi shumë dhe mund ta fitonte. Atë që nuk e bëri ai do ta realizojë unë. Një herë e humba mundësinë për ta thyer dhe shpallur kampion, këtë herë nuk do të gaboj më. Mosha nuk ka rëndësi në këtë sfidë dhe këtë gjë do t’ua vërtetoj në ring”, u shpreh Luis Ortiz.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit