Pas ardhjes së Julián Alvarez, Atletico Madrid po përpiqet të zgjidhë rrëmujën në trekëndëshin Joao Félix-Gallagher-Omorodion me Chelsean, por nuk ndalet me kaq.
Klubi madrilen po vazhdon të punojë në dy pozicione kyçe: qendërmbrojtësi me këmbë të majtë (Hancko dhe Hincapié janë opsionet më të njohura) dhe mesfushori mbrojtës.
Pasi dështoi në sulmin ndaj Javi Guerra dhe duke pasur parasysh vështirësitë për të arritur një marrëveshje me londinezët, drejtuesit mesa duket po mendojnë për një emër shumë të rëndësishëm: N’Golo Kanté.
Siç raporton Relevo, francezi 33-vjeçar i Al-Ittihad ka treguar gjatë Kampionatit Europian se është ende në gjendje të shkëlqyer dhe nuk do ta përçmonte idenë e kthimit në Kontinentin e Vjetër për të luajtur sërish në Champions League.
Ish-lojtari i Leicester-it ka një kontratë deri në vitin 2026 me klubin saudit dhe një vlerësim prej rreth 10 milionë euro.
Atlético Madrid do të kishte nisur të fliste me vëllanë e lojtarit, ndërsa Al Ittihad është në pritje të një propozimi zyrtar.
Problemi kryesor është padyshim paga e futbollistit francez, i cili do të duhet të ulë shumë kërkesat e tij nëse dëshiron të shkojë te skuadra e Simeone-s.
Kante do të ishte një goditje e rëndësishme: ka eksperiencë në të gjitha kompeticionet, kushton pak, është kampion bote dhe pavarësisht moshës ka treguar se është fizikisht i aftë. Negociatat janë gati për të nisur.