Interi ka në shënjestër çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, por për t’i arritur ato duhet të konfirmojë superioritetin ndaj Feyenoordit. Në ndeshjen e kthimit të 1/8-ave, në “San Siro”, skuadra zikaltër e nis me avantazhin 2-0 të siguruar në Holandë, por sfida ndaj Atalantës në kampionat, që po afrohet, mund të diktojë rotacionet e Simone Inzaghit.
“Jemi krenarë për atë që po bëjmë, edhe pse ky kalendar na detyron të luajmë kaq shumë ndeshje”, – komentoi trajneri në konferencën për shtyp në prag të sfidës.
Çfarë kalon në mendjen e një trajneri kur ndodhet 19 ndeshje larg një triplete të mundshme? Si është gjendja juaj emocionale?
Shumë e mirë, tani jam i përqendruar te Feyenoordi. Edhe pse fituam 2-0 në ndeshjen e parë, kemi parë që në Champions League çdo ndeshje fsheh rreziqe, nëse nuk e mban nivelin e lartë.
A do ta vlerësosh formacionin duke pasur parasysh edhe ndeshjen kundër Atalantës?
Nuk do të bëj zgjedhje bazuar në kampionat, por sigurisht që duhet të kemi parasysh disa lodhje fizike. Do t’i vlerësojmë disa situata, De Vrij dhe Lautaro nuk janë stërvitur me grupin, por kam ndjesi të mira. Më pas do të vendos nëse do t’i aktivizoj apo jo. Kemi humbur edhe Zielinskin, ky dëmtim nuk na duhej.
Thuram dhe Çalhanoglu do të ishte më mirë të luanin, edhe nëse nuk janë në formën e tyre maksimale?
Po e vlerësojmë situatën. Thuram ka një problem që e mundon prej një muaji dhe nuk e lejon të stërvitet si më parë. Ai po luan me injeksione dhe nuk tërhiqet kurrë pas për ta ndihmuar skuadrën. Sot (dje) u stërvit relativisht mirë. Correa nuk është i disponueshëm, ndërsa Lautaro po.
A është problem fakti që luani më shumë ndeshje se rivalët e drejtpërdrejtë, apo ky është një stimul?
Nuk duhet të jetë problem, por motivim. Duhet të jemi krenarë për atë që po bëjmë. Këta djem gjejnë energji që ndonjëherë edhe ne çuditemi se si e bëjnë. Kemi pasur disa mungesa që kanë kufizuar rotacionet. Pastaj, ndryshe nga viti i kaluar, Champions League këtë sezon e ka shtyrë kualifikimin në fazën tjetër. Ndeshja kundër Feyenoordit do të jetë e 20-ta për ne në vitin 2025.
Dy vite më parë Interi nisi të fitonte gjithçka në fazën përfundimtare të sezonit. A mund të jetë kjo një rrugë për t’u ndjekur?
Absolutisht po. Por dy vite më parë, Champions League nuk ishte si tani dhe kualifikimi në 1/8-at erdhi dy muaj më herët. Për mendjet e lojtarëve dhe stafit nuk ishte e lehtë të përballeshim me kaq shumë kundërshtarë. Rotacionet janë thelbësore për ne, por sidomos në krahët e fushës nuk kemi shumë mundësi. Tani synojmë të japim maksimumin në këto dy ndeshje dhe më pas të rikuperojmë energjitë gjatë pushimit.
Çfarë përfaqësojnë për ju 200 ndeshje si trajner i Interit?
Janë shumë, është një krenari e madhe. Falënderoj lojtarët dhe klubin që ma kanë dhënë këtë mundësi.
A do të kthehet Sommer në portë? Dhe a prisni më shumë nga Taremi?
Po, Sommer do të jetë titullar, edhe pse Martinez ka bërë një punë shumë të mirë në ndeshjet e fundit. Taremi po punon fort dhe po përpiqet të na ndihmojë. Është i përqendruar dhe është përshtatur mirë me grupin, por si çdo sulmues po kërkon golin. Ndeshja kundër Feyenoordit mund të jetë një mundësi e mirë për të.
Si e vlerësoni rritjen e Dumfries?
Duhet përgëzuar për përmirësimin dhe rendimentin e tij. Nuk erdhi rastësisht tek Interi, ai ishte kapiten i PSV-së dhe pjesë e kombëtares holandeze. Dëshiron gjithmonë të përmirësohet, kërkon të shohë video të tij dhe të ekipit për të analizuar gabimet dhe kjo është një cilësi e madhe që ka.
Thuram ka vetëm një problem në kyçin e këmbës apo rënie të përgjithshme fizike?
Do të doja t’i jepja mundësinë të bëjë një punë fizike specifike për ta rikthyer në formën më të mirë, por gjatë muajit të fundit ka vuajtur dhe mezi është stërvitur për shkak të këtij problemi që e mundon. Për ne është një lojtar shumë i rëndësishëm.
Disa lojtarë të dëmtuar mund të grumbullohen nga kombëtaret. A është ky një problem për ju si trajner?
Nuk dua të hyj në këtë çështje. Dimarco dhe Thuram kanë disa probleme, por për momentin fokusi ynë është te Feyenoordi. Për pjesën tjetër do të vendosim më vonë.







