Trajneri Sylvinho duket se do të plotësojë dëshirën e madhe të tifozerisë shqiptare, aktivizimin e Balliut si lojtar titullar në krahun e djathtë të mbrojtjes.
Kombëtarja kuqezi nesër do të luajë kundër Çekisë. Kjo ndeshje vlen si një finale, sepse mund të tentojmë vendin e parë në grup dhe kapërcimin në një vazo më lart.
Sipas informacioneve të fundit, Sylvinho do të luajë thuajse njësoj si në ndeshjen kundër Gjeorgjisë. Lajmi është se Balliu do të ulë në stol edhe një herë Hysajn.
Në portë do të jetë Strakosha, kurse pjesa tjetër e mbrojtjes do të plotësohet me të përhershmit Mita, Ismajli dhe Ajeti.
Asllani, Ramadani dhe Laçi pritet të jenë titullarët e repartit të mesfushës, duke u përpjekur të ndihmojnë dy sulmuesit anësorë të kombëtares, Bajrami dhe Asani.
Dilema më e madhe është qendra e sulmit. Tuci dhe Daku janë në balotazh, por i pari duket më i avantazhuar.