Barcelona dhe Reali, duel gjigantësh për yllin e Napolit

3 Prill 2020
10:49
Alfred Lleshi
back button

I blerë për 30 milionë euro në verën e vitit 2018, me kërkesën e trajnerit të atëhershëm, Carlo Ancelotti, Fabian Ruiz vërtetoi se ishte një vlerë e shtuar për Napolin që në fillim. Ai bëri paraqitje në rritje, duke tërhequr interesin e shumë klubeve, para së gjithash nga Barcelona. Por, brenda pak muajsh, një “El Clasico” mund të vihet në skenën e merkatos. Kjo për shkak se ish-lojtari i Betis pëlqehet shumë edhe nga Real Madridi. 

Konfirmimi u dha nga agjenti i lojtarit, Alvaro Torres, i cili foli në frekuencat e “Canal Sur Radio”: “Ka disa klube të rëndësishme, që kanë kërkuar informacione rreth tij. Tri sezonet e fundit kanë qenë të një niveli të lartë për të. Po, është e vërtetë që Real Madridi ka pasur interesim dhe ne e kemi informuar Napolin për këtë. Për momentin, megjithatë, duhet të mbetet i përqendruar vetëm në ekipin e tij. Pastaj, gjatë verës do të shohim se çfarë do të bëjmë”.

Fjalë që nuk mund t’i lënë të qetë tifozët blu, të tmerruar nga ideja për të humbur një nga lojtarët më të mirë të skuadrës. Ardhjet e Demme dhe Lobotka, megjithatë, e kanë rritur konkurrencën në mesfushë dhe, kur një klub si Real Madridi të kërkon, është pothuajse e pamundur të qëndrosh indiferent. Zhvillimet e mëtejshme në episodin tjetër…

Lajme të tjera

Lajmet e fundit