Barcelona është një “makinë” golash, ku spikat Robert Lewandowski, i cili falënderon Hansi Flick. Polaku ka shënuar tashmë 12 gola në kampionat, kryeson listën e golashënuesve të La Liga-s (tashmë ka nisur “arratisjen” nga dy ndjekësit e tij më të afërt, Kylian Mbappé i Real Madridit dhe Ayoze Pérez i Real Betis).
36-vjeçari po ecën me ritëm të “Këpucës së Artë”, ndërkohë që i gjithë ekipi katalanas është jashtëzakonisht “pjellor”. Falë 5 golave të shënuar të dielën e kaluar kundër Sevilla, skuadra e Flick është ngjitur në kuotën e 39 “rrjetave” në 12 ndeshje zyrtare, këtë sezon. Një shifër pak më e ulët se ajo e regjistruar në sezonin 2016-2017, kur në sulmin blaugrana ishin Lionel Messi, Neymar dhe Luis Suarez.
As në kohën e Guardiolës nuk u regjistruan shifra kaq të larta. Në sezonin 2011-2012 ishin shënuar 36 gola deri në këtë pikë të sezonit. Shifra të pabesueshme, të tejkaluara vetëm nga skuadra e Luis Enrique. Treshja e tij e mrekullive MSN arriti 42 gola në 12 ndeshjet e para të kampionatit. Tani janë Lewandowski, Raphinha dhe Lamine Yamal.
Ish-sulmuesi i Bayern Munich ka gjetur skuadrat perfekte ku të luajë, të cilat dinë t’i lëndojnë të gjithë. Në fakt, edhe dy anësorët po kontribuojnë: Raphinha ka shënuar 6 gola, ndërsa “fëmija i mrekullueshëm” 5 gola. A do të jetë në gjendje LRL të rivalizojë me rekordet e dikurshme të MSN-së?