Hansi Flick u tregua shumë i ashpër dhe i prerë në analizën e barazimit të pësuar pas një “remontade” kundër Celta Vigo. Trajneri i Barcelonës nuk e kapërdiu dot ngadalësimin e hapit si kryesues i La Liga-s, që tani sheh Real Madridin të afrohet në distancë.
Më shumë sesa rezultati, Flick u zhgënjye nga qëndrimi i treguar në fushë nga lojtarët e tij, që u treguan të pavëmendshëm dhe kontribuan në rikthimin e kundërshtarëve nga 0-2 në 2-2. “Nuk ishin vetëm 10 minuta. Luajtëm një ndeshje vërtet të dobët”, – tha trajneri gjerman.
Rezultati u ndikua edhe nga përjashtimi me karton të kuq i Casadó, të cilin Flick nuk mendoi ta zëvendësonte pas marrjes së kartonit të parë të verdhë: “Nuk bëj ndërrime bazuar në faktin që një lojtar ka marrë një karton të verdhë. Bëmë shumë gabime, nuk kishim besim me topin. Nuk mendova ta zëvendësoja Casadó për shkak të kartonit të verdhë, sepse bëj ndërrime bazuar vetëm te performanca”.
Flick komentoi edhe për formën e Gavit: “E pashë mirë, por gjithçka vjen hap pas hapi. Shpresoj që së shpejti të mund të luajë gjithë ndeshjen, sepse na jep shumë”. Për kartonin e dytë të verdhë të Gerard Martín: “Nuk është detyra ime ta komentoj këtë”.
Duke iu kthyer barazimit: “Do flas sinqerisht, nuk bëmë atë që donim. Kontrolli ynë me topin nuk ishte i mirë, pati shumë gabime edhe në pjesën e parë. Nuk ishte mënyra jonë e zakonshme e lojës. Nuk ishte një ndeshje e mirë. Duhet të flasim dhe ta ndryshojmë situatën”.
Mesazhi për skuadrën: “Këto gjëra ndodhin. Nuk është ajo që donim, por duhet të qëndrojmë në rrugën e drejtë dhe të ecim përpara. Ishte vetëm një ndeshje. Kemi marrë vetëm një pikë, ndaj askush nuk është i lumtur nga ky barazim. Të gjithë mund të luajnë më mirë.
Të gjithë thoshin se Balaídos është një fushë e vështirë, kishte edhe erë…, por kjo nuk përbën justifikim. Është çështje përqendrimi, duhet të jemi të fokusuar. Ndonjëherë duket e lehtë të fitosh, por nuk është kështu”.
Përgatitja për Champions League: “Shpresoj që kjo të mos ndikojë”.