Hansi Flick nuk e ndryshon as edhe një grimë fytyrën. Edhe pse skuadra e tij vazhdon të grumbullojë fitore, trajneri i Barçës nuk është aspak euforik. Pas fitores në Girona, gjermani mbajti një profil të ulët, inkurajoi lojtarët e tij që të vazhdojnë të shfaqin të njëjtat nivele intensiteti dhe pune në ndeshjet e ardhshme:
“Sezoni sapo ka filluar. Ne luajtëm shumë mirë, të përqendruar. Kemi bërë presion shumë të mirë. Goli i parë ishte i pabesueshëm. E merituam fitoren. Ishte një ndeshje e vështirë, Girona luan shumë mirë”.
Për gjermanin ishte veçanërisht e rëndësishme që Barcelona të mos e ulte nivelin pas pushimit ndërkombëtar: “I thashë skuadrës se sa e rëndësishme ishte që të vazhdonim në të njëjtën rrugë si para pushimit prej kombëtareve dhe djemtë u përgjigjën shkëlqyeshëm”.
I pyetur për formën madhështore të Barçës së tij, gjermani donte të zbuste euforinë dhe kujtoi se është e ndaluar të pushosh sadopak: “Jemi stërvitur shumë, përgatitemi mirë për çdo ndeshje. Duhet të ecim hap pas hapi, ndeshje pas ndeshje, por duam të fitojmë. Jemi në një moment të mirë, duhet të vazhdojmë kështu. Nuk mund të ndalemi, jemi skuadër kompakte, i besojmë vetes. Kemi bërë mirë, jam shumë i kënaqur me mënyrën se si luajti skuadra”..
Për Lamine Yamal, ‘MVP’ e ndeshjes, Flick kishte vetëm fjalë të mira: “Ai ka bërë diferencën, shtyp shumë mirë lart dhe kjo është shumë e rëndësishme. Është e rëndësishme që të gjithë të bëjnë presion të lartë. Ky kombinim i talentit dhe presionit është shumë i mirë për ne. Lamine ka luajtur shumë mirë, ne i finalizuam mirë shanset që patëm”.
Flick këmbënguli të vlerësonte punën dhe përpjekjet kolektive të stafit të tij: “Ne jemi një skuadër dhe kjo është ajo që doja. Kur shtyp kundërshtarin është më e lehtë për mbrojtësit të luajnë. Jam i kënaqur me mënyrën se sulmuesit shtypin dhe gjejnë hapësirat. Jam shumë i lumtur me skuadrën, për mënyrën sesi stërvitet, si luan, shpresoj të vazhdojmë në këtë linjë”.
Trajneri i Barçës u pyet gjithashtu se çfarë mendon për nivelin e gjyqtarëve spanjollë të La Liga-s. Flick u përgjigj me elegancë dhe duke shmangur çdo polemikë hipotetike: “Arbitrat janë të mirë, unë fokusohem tek ekipi im. Nëse ndodh diçka, ka video-arbitrazh. Personalisht nuk kërkoj justifikime nga gjyqtarët. Mendoj se ata kanë bërë një punë të mirë në pesë ndeshjet e deritanishme”.