Barcelona ka paraqitur llogaritë në bordin e drejtorëve, të cilat do të duhet të miratohen në Asamblenë e ardhshme të klubit, planifikuar për 19 tetor. Sipas dokumentave, Barça e mbyll vitin financiar me 91 milionë euro humbje. Arsyeja është e thjeshtë: Mungesa e të ardhurave nga shitja e kompanisë që menaxhon shërbimet audiovizive të klubit, Barça Studios.
Klubi ende shpreson të mbledhë të gjithë ose një pjesë të shumës së premtuar nga klubi blerës Bridgeburg, por për momentin është dashur të marrë parasysh mospagesën. Nga Camp Nou theksojnë se pa këtë fatkeqësi Barcelona do ta kishte mbyllur vitin financiar me një përfitim prej 12 milionë eurosh, por padyshim kjo është një përllogaritje që nuk vlen asgjë.
Performanca ekonomike e klubit u ndikua nga lëvizja e detyruar në Montjuic për rinovimet e mëdha të Camp Nou. Te Barça i vlerësojnë humbjet e shkaktuara nga ndryshimi i stadiumit në 100 milionë euro. Ata shpresojnë të kthehen në Camp Nou në fillim të janarit, por nuk do të mund ta bëjnë këtë gjë në Champions League.
Ndër notat pozitive janë të ardhurat rekord nga sponsorizimet, 210 milionë euro dhe xhiroja e kompanisë së tregtimit, Blm, e cila arriti në 110 milionë, 72% më shumë se 6 vite më parë. Në bilanc, 80 milionë fitime rrjedhin nga shitja e lojtarëve, Dembélé, Kessie, Nico, Abde, Chadi dhe Marc Guiu.
Positive edhe ulja e pagave, nga 670 në pak më shumë se 500 milionë euro, me një kthim brenda parametrat e rekomanduar nga UEFA. Kjo është arsyeja pse klubi e sheh me optimizëm buxhetin e sezonit 24-25, me shpresën për të mbledhur atë që nuk është marrë nga operacioni i Barça Studios. Natyrisht, borxhi monstruoz mbetet, i reduktuar nga 1.2 miliardë në një miliard neto qershorin e kaluar.