Trajneri i ri i Barcelona-s, Hansi Flick, ka rekomanduar nënshkrimin e sulmuesit të Villarealit, Alexander Sorloth, si një rezervë për Robert Lewandowski, sipas El Nacional.
Norvegjezi shënoi 26 gola dhe dha gjashtë asiste në 41 ndeshje në të gjitha ndeshjet e luajtura këtë sezon dhe thuhet se është gjithashtu në radarin e Atletico Madridit.
Sipas El Nacional, Flick ende i beson Lewandowskit, i cili ka luajtur nën drejtimin e tij te Bayern Munich. Megjithatë, ai e pranon se sulmuesi polak nuk po luan në nivelet e mëparshme për shkak edhe të moshës së tij.
Lewandowski do të mbushë 36 vjeç këtë gusht dhe Barcelona ka kërkuar një sulmues rezervë për ta mbështetur atë për disa kohë.
Alexander Sorloth është një perspektivë e mirë për katalanasit këtë verë, veçanërisht pasi norvegjezi pati një sezon mjaft të mirë me Villarealin.
Flick thuhet se i ka rekomanduar me forcë emrin e Sorloth drejtorit sportiv të Barcelonës, Deco, pasi gjermani beson se çmimi i tij nuk do të ishte shumë i rëndë për xhepat e klubit.
Megjithatë, Barcelona mund të përballet me konkurrencë të ashpër nga rivalët e Atletico Madridit, të cilët po kërkojnë gjithashtu një zëvendësues ideal për sulmuesin spanjoll Alvaro Morata.