Lajm i keq për Barcelonën në prag të nisjes së fazës përgatitore të sezonit të ri. Dëmtimi i pësuar në gjysmëfinalen e Kupës së Amerikës, Uruguai-Brazil, doli të ishte më i rëndë se sa pritej për mbrojtësin Ronald Araujo.
Sipas “Relevo”, lojtari 25-vjeçar do të detyrohet t’i nënshtrohet një operacioni, duke mos dashur të zgjedhë trajtimin konservativ, për ttë zgjidhë plotësisht dëmtimin. Qendërmbrojtësi uruguajan u zëvendësua në minutën e 30-të të ndeshjes për shkak të një problemi me këmbën e djathtë.
Araujo u largua i përlotur nga fusha, i vetëdijshëm për seriozitetin e dëmtimit. Nga këtu vjen dëshpërimi i Barcelonës, pasi lojtari mund të qëndrojë jashtë fushës deri në katër muaj. Për këtë arsye, nuk do të kthehej në fushë para dhjetorit në kampionat.
Vendimi për të bërë operacion erdhi pas një diskutimi me mjekët e Barçës. Nëse do të kishte zgjedhur një trajtim më konservativ, koha e parashikuar do të ishte rreth dy muaj, por dëmtimi nuk do të ishte zgjidhur plotësisht.
Klubi katalanas është shumë i shqetësuar, pasi Araujo ka pësuar më shumë se 15 lëndime që kur është bërë lojtar i klubit “blaugrana” dhe me këtë nokaut të fundit fizik ai nuk do të mund të marrë pjesë në përgatitjet parasezonale të trajnerit të ri, Hansi Flick.
Kjo pengesë ka pasoja edhe për të ardhmen e tij. Kontrata e mbrojtësit uruguaian skadon në vitin 2026 dhe nëse më parë Barcelona nuk do ta kishte konsideruar idenë e një shitjeje, tani situata mund të ndryshojë.