Barcelona ka gati planin, ja si do t’i kundërpërgjigjet “martesës” Real Madridi-Mbappe

27 Mars 2024
8:15
Alfred Lleshi
back button

Planifikimi sportiv i Barcelonës shkon përtej sezonit të ardhshëm dhe ka një emër që shfaqet si ëndërr e madhe për verën 2025; Erling Haaland. Presidenti Joan Laporta njoftoi tashmë në intervistën e dhënë për “Mundo Deportivo” javën e kaluar se “ideja është të bëhen vetëm një ose dy përforcime” për sezonin 2024-2025, duke ruajtur bazën e skuadrës aktuale, me qëllimin për të mos shitur askënd nëse arrihen objektivat ekonomikë të vendosur para 30 qershorit dhe konsolidohen lojtarët e rinj.

Në treg nuk është as Robert Lewandowski, i cili ndihet shumë rehat te Barça, ka refuzuar një ofertë prej 100 milionë euro pagë vjetore nga Arabia Saudite. Duke pasur parasysh performancën dhe udhëheqjen e tij në ringjalljen e ekipit, klubi katalanas ka ende shumë besim në potencialin e polakit dhe profesionalizmin e jashtëzakonshëm të tij për sezonin e ardhshëm, të cilin do ta luajë pasi të mbushë 36 vjeç më 21 gusht.

Nga ana tjetër, për sezonin 2025-2026, në të cilin ai do të vazhdonte te Barça nëse luan gjysmën e ndeshjeve më 2024-2025, siç parashikohet në kontratën e tij, klubi konsideron se do të jetë e nevojshme të blihet një golashënues i nivelit të lartë. Lewandowski do të ishte tashmë 37 vjeç, me shumë dyshime për performancën e tij deri atëherë. Vitor Roque (19 vjeç) dhe Marc Guiu (17) do të vazhdojnë procesin e tyre evolutiv, por ka konsensus se Barça do të ketë nevojë për një tjetër yll botëror, që përkon me rimëkëmbjen ekonomike të klubit, pasi të mund të bëjë më shumë para me “Camp Nou” e ri.

Siç ka mësuar “Mundo Deportivo”, Erling Haaland është ëndrra e madhe e Barçës. Me Kylian Mbappe që parashikohet të jetë tashmë i veshur me fanellën e Real Madridit, plani Blaugrana përfshin një angazhim të fortë ndaj norvegjezit, i cili do të mbushë 24 vjeç më 21 korrik dhe ka ende një dekadë golash përpara.

Sulmuesi i Manchester City ka kontratë në fuqi deri në vitin 2027 dhe kampioni aktual i Evropës dëshiron ta zgjasë atë përballë kërcënimeve të jashtme. Për të është i interesuar edhe Real Madridi, por jo këtë verë, kur ka klauzolë për t’u larguar nga Premier League për një shifër më pak se 200 milionë euro. Barça nuk mund ta marrë as tani, por ndoshta brenda një viti.

Në Barcelonë e njohin mirë situatën e Haaland. Agjentja e tij, Rafaela Pimenta dhe partneri i saj, ish-lojtari i Barcelonës, Maxwell, u takuan më 29 shkurt me Deco për të biseduar tema të ndryshme. Edhe atë të sulmuesit norvegjez.

Nuk duhet të harrojmë as marrëdhënien e shkëlqyer mes Joan Laportës dhe Pimenta. “E dua Laportën për vdekje, jam një fanse e madhe e tij. Nëse ka nevojë për lojtarë të mirë, ne i kemi ata”, – tha avokatja braziliane, e cila për herë të parë u mor me Laporta në vitin 2009, me nënshkrimin e Zlatan Ibrahimovic, kur punonte me Mino Raiola.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit