Lajm i keq për Barcelonën. Dani Olmo, i cili pësoi një tendosje muskulore në derbin katalanas ndaj Girona në “Montilivi”, do të mungojë për disa kohë. Ish-lojtari i Leipzig mori pjesë në fitore, duke shënuar golin e tretë të pasdites së djeshme, por u zëvendësua nga Eric Garcia.
Në fund të ndeshjes, trajneri Flick ishte i pari që sugjeroi se Dani Olmo kishte disa shqetësime fizike, edhe pse testet e para sipërfaqësore mjekësore nuk ngrinin ndonjë alarm. Mesditën e sotme janë publikuar rezultatet e analizave mjekësore, të kryera në mënyrë të hollësishme.
“Testet e kryera këtë të hënë në mëngjes te Dani Olmo zbuluan se sulmuesi i Barcelonës ka dëmtuar muskujt e pasmë të kofshës. Ai pritet të jetë i padisponueshëm për katër ose pesë javët e ardhshme”, – thuhet në buletinin mjekësor të klubit blaugrana. Kjo është një goditje e rëndë për skuadrën dhe spanjollin, duke pasur parasysh se sa lehtësisht ishte adaptuar në skuadrën katalanase, nën drejtimin e Hansi Flick.
Përveç debutimit të tij në Champions League kundër Monacos, Dani Olmo do të mungojë gjithashtu ndaj Getafe (25 shtator, në 21:00), Osasuna në “El Sadar” (28 shtator, në 21:00) dhe sfidën e dytë të Champions League në shtëpi, kundër Young Boys (1 tetor, në 21:00). Ai mbetet në dyshime të forta edhe për ndeshjen në “Mendizorroza” kundër Alavés (6 tetor, në ora 16:15), raporton katalanasja “SPORT”.