“Barcelona mund të luftojë për trofe. Yamal dhe Cubarsí? Pjekuria e tyre është befasuese”

4 Shtator 2024
8:15
Alfred Lleshi
back button

Gerard Pique, ish-mbrojtësi i Barcelonës, ka dhënë një intervistë të gjatë për “Mundo Deportivo”, duke folur për skuadrën e Hansi Flick: “Për momentin po shkon shumë mirë, lojtarët e rinj si Dani Olmo tashmë po ofrojnë paraqitje të mira, ashtu si edhe të rinjtë që ishin aty. Barcelona kishte treguar shumë nga vetja që në parasezon, do të luftojë për tituj”.

A ju pëlqen Pau Cubarsi?
Unë mendoj se Cubarsí e ka treguar tashmë qysh sezonin e kaluar se mund të luajë shumë ndeshje si titular, madje të bëjë më të mirën. Pjekuria me të cilën i trajton ndeshjet dhe padyshim talenti që ka është befasues. Të konkurrosh në moshën e tij në një klub si Barça, me rrezikun për të luajtur si mbrojtës… Ai po dëshmon se mund të luajë për shumë vite duke mbrojtur fanellën e Barçës. Djem të tjerë, që nuk ishin aq të njohur, kanë spikatur gjithashtu në këtë fillim sezoni. I tillë është rasti i Marc Bernal, i cili rezultoi i pafat, sepse u lëndua rëndë. Pastaj është Pau Víctor… Në ndeshjet e para të La Liga-s, tre 17-vjeçarë startuan në formacionin e Barçën, diçka që më parë ishte e pamendueshme. Kjo tregon aftësinë që ka ‘La Masia’ për të prodhuar lojtarë me talent të jashtëzakonshëm. Tani duhet të jemi të durueshëm, në mënyrë që këta lojtarë të mund të performojnë sa më lart në vitet e ardhshme.

Me kë mund ta krahasoni Lamine Yamal?
Mendoj se gjëja më befasuese, si në rastin e Cubarsi, është pjekuria me të cilën futet në fushë. Duke qenë një anësor, që normalisht i pëlqen dueli ballë për ballë, ai di ta zgjidhë shumë mirë çdo situatë. Nëse sheh që është në vështirësi mbron topin, nëse sheh se mund ta sfidojë kundërshtarin, e driblon. Ka sensin e golit, është lojtar i nivelit të lartë, me shumë potencial. Lojtar i rëndësishëm për Barcelonën në vitet e ardhshme.

Për çfarë mund ta këshilloni Bernal, pas lëndimit?
Mund të thuhet pak, është një gjë e çuditshme dhe më vjen shumë keq për të. Ditët e para do të jenë shumë të komplikuara, ai do të jetë pranë njerëzve që do, familjes dhe miqve. Pas operacionit do të fillojë pak nga pak procesin e shërimit. Është shumë i ri, ndaj jam i bindur se do të dëshirojë të kthehet. Më e rëndësishmja është që të jetë i qetë dhe të shërohet mirë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit