Hansi Flick nuk është vetëm një emër i respektuar në futbollin gjerman dhe në historinë e Bayern Munich, tani edhe të Barcelonës, por edhe një trajner i jashtëzakonshëm kur bëhet fjalë për menaxhimin e ndeshjeve vendimtare.
Me një profil larg vëmendjes mediatike dhe qëndrim të qetë e transparent, trajneri aktual i Barcelonës do të përballet këtë të shtunë në Sevilla me Real Madridin në finalen e tij të shtatë si trajner kryesor. Deri tani, gjermani ka arritur atë që shumë pak trajnerë mund ta thonë: i ka fituar të gjitha finalet që ka drejtuar.
Me Barçën është imponuar në të vetmen finale që ka luajtur deri më tani. Ishte ajo e Superkupës së Spanjës, e zhvilluar më 12 janar 2025, në të cilën mposhti Real Madridin në Jeddah (Arabia Saudite) me rezultatin 5-2. Rezultati mund të tregojë të kundërtën, por nuk ishte një ndeshje e lehtë, as në fushë dhe as nga stoli, pasi Barça duhej të luante me një lojtar më pak që nga minuta e 56-të për shkak të përjashtimit të Szczesny. Menaxhim i mirë nga gjermani.
Seria e fitoreve në finale për Flick nisi në vitin 2020, kur fitoi Kupën e Gjermanisë. Bayern Munich i tij mposhti Bayer Leverkusen (4-2), në një ndeshje të zhvilluar në stadiumin olimpik të Berlinit. Bavarezët kaluan në avantazh me gola të Alaba, Gnabry dhe Lewandowski (3-0), ndërsa skuadra e Peter Bosz ngushtoi diferencën me një gol të Bender (3-1). Lewandowski shënoi sërish për 4-1 dhe Havertz e mbylli ndeshjen 4-2.
Më 23 gusht 2020, në stadiumin “Da Luz” të Lisbonës, Bayerni i Flick fitoi titullin më të çmuar, atë të Champions League, në një kompeticion që u zhvillua në formatin “Final Eigh”. Në finalen e madhe, lojtarët e trajnerit gjerman u imponuan ndaj PSG-së së Neymar dhe Mbappé, falë një goli të Kingsley Coman (59’). Kjo ishte Liga e Kampionëve e gjashtë për bavarezët.
Finalja e tretë e fituar me Bayernin ishte ajo e Superkupës së Europës, e zhvilluar në “Puskas Arena” të Budapestit, më 24 shtator 2020. Kundërshtari ishte Sevilla e Julen Lopetegui, që kaloi në avantazh me një gol të Lucas Ocampos në minutën e 13-të nga penalltia. Leon Goretzka barazoi në minutën e 34-t dhe ndeshja shkoi në shtesë, ku Javi Martínez, që kishte hyrë nga stoli, shënoi golin vendimtar 2-1, me një goditje me kokë në minutën e 104-t. Përmbysje dhe menaxhim i ndeshjes deri në momentet e fundit.
Borussia Dortmund ishte kundërshtari i Bayernit në finalen e Superkupës së Gjermanisë 2020, e zhvilluar në “Allianz Arena” të Mynihut më 30 shtator. Tolisso dhe Müller kaluan vendasit në avantazh (2-0), por Brandt dhe Haaland barazuan (2-2). Goli i fitores për Bayernin u shënua nga Joshua Kimmich në minutën e 82-të. Kjo ishte fitorja e katërt e Flick në stol, në katër finale.
Titulli i pestë ishte Botërori i Klubeve, i zhvilluar më 11 shkurt 2021 në Rayán (Arabia Saudite). Skuadra e Flick mposhti me rezultatin 1-0 Tigres-in meksikan, falë një goli të Benjamin Pavard në minutën e 59-të.
Përveç këtyre gjashtë titujve në gjashtë finale, trajneri nga Heidelbergu ishte ndihmësi i Joachim Löw në finalen e Kupës së Botës 2014, që Gjermania e fitoi ndaj Argjentinës në “Maracaná” me golin e Mario Götze në shtesë (1-0). Flick është garanci suksesi dhe menaxhimi në duelet që përcaktojnë sezonet.







