Barella: Ëndërroj fitimin e Champions-it, kurrë nuk kam menduar të largohem nga Interi

12 Dhjetor 2024
12:50
Alfred Lleshi
back button

Nicolò Barella, mesfushori i Interit, ka dhënë një intervistë të gjatë për mikrofonat e DAZN, duke filluar nga një agjendë e vjetër që i kishte dhënë gazetarja e këtij kanali në vitin 2019 dhe ku ai kishte shkruar ëndrrat e tij: “Njëra ishte të fitonim titullin, kemi arritur dy, kështu që e kemi realizuar në mënyrë të shkëlqyer. Tjetra ishte të fitonim një Botëror, por tani do ta ndryshoj dhe do të shkruaj të luaj një Botëror, pasi nuk e kam pasur atë fat ose aftësinë. Shpresoj që kjo kënaqësi të vijë shpejt, pastaj për ta fituar do ta lëmë gjithmonë si ëndërr atje në sirtar”.

Çfarë ka ndryshuar te Barella pas 5 vitesh?
Te jeta private, padyshim që jam më shumë në familje. Për futbollin mund të thuhet se ka ndryshuar mënyra se si e jetoj, kam gjithmonë dëshirën për të fituar, për të treguar vlerën time në fushë, por tani me pak më shumë qetësi dhe më pak arrogancë. Krahasuar me më parë, tani mendoj më shumë për të ndihmuar skuadrën dhe shokët e skuadrës sesa për suksesin personal. Më i ri mund të mos e kisha këtë mendim. Më pëlqen kjo, ndoshta edhe njerëzit e kanë vënë re. Përshtypja ime është që tani dua të argëtohem 100%. Po plakem, vitet kalojnë, fatkeqësisht gjithë kjo do të mbarojë, prandaj përpiqem ta shijoj sa më shumë që mundem.

Corvino tha: Barella mbetet lojtari im ideal, sepse di të jetë edhe punëtor, dhe inteligjent. A është kështu?
Shumë bukur, e falënderoj. Është e vërtetë, në mënyrën time të lojës jam përpjekur të perfeksionoj disa gjëra. Më parë mund të isha më i tërhequr nga një rikuperim topi, nga një gol, gjëra që për syrin e tifozit janë më të rëndësishme, por ka shumë punë pas tyre dhe këtë e kam mësuar nga shokët që kanë mjaft përvojë, mjeshtra si Mkhitaryan. Të gjithë e dinë që ai është shumë i fortë, por jo të gjithë shohin punën që bën. Kur ka shembuj të tillë, mund të mësosh shumë. Jam përpjekur ta përshtas mënyrën time të lojës me mesfushën e sotme, pavarësisht nëse është Frattesi, Asllani ose Zielinski. Duhet të jesh i zgjuar për ta lexuar lojën. Ndonjëherë ka më shumë nevojë të bësh punën e punëtorit, ndonjëherë ka më shumë nevojë të bësh punën e ‘regjisorit’. Zona e fushës ku luaj tani është më shumë e ‘regjisorit’.

A e prisje Thuram si sulmues të tillë?
Kur lojtarët janë të fortë, ata gjithmonë dalin në pah. Të integrohej kaq lehtë ishte e pabesueshme, sepse kërkon pak adaptim. Nuk është një stil i lehtë loje i yni, duhet të interpretohet secili rol në një mënyrë të caktuar për të qenë të plotë. Ai e zgjon skuadrën, është i mirë për të luajtur dhe djalë i shkëlqyer. Kjo është më e rëndësishmja.

Thuram mbetet Robin dhe Lautaro Batman…
Nuk e di kush është Robin dhe kush është Batman, por padyshim janë një çift i bukur. Kur luan me lojtarë të tillë, është më e lehtë edhe për Taremi, Correa dhe Arnautovic të na ndihmojnë.

A e ke gjetur Robin-in tënd? Disa vite më parë ishte Brozovic…
Po, e përshëndes, marrëdhënia mbetet, gjithmonë e kontaktojmë. Sinqerisht, ka një grup kaq të bukur që është e vështirë të thuash: Po zgjedh një. Kemi gjetur një kohezion të vërtetë në fushë dhe dhomën e zhveshjes, kam shumë Robin…

Lazio-Inter, a e konsideroni një përballje direkte?
Tani, duke parë Lazion… Nuk është surprizë, gjithmonë ka qenë një skuadër e vështirë për t’u mundur, gjithmonë ka qenë një fushë e vështirë, gjithmonë i kam respektuar ata si skuadër dhe si klub. Duhet t’iu bëjmë komplimente atyre për atë shkëndijë që gjetën, por sigurisht duhet të shikojmë rrugëtimin tonë. Do të mundohemi të vazhdojmë duke mundur çdo skuadër, qoftë Lazio, Milan, Juve…

Atalanta, a është rivali juaj i vërtetë për titull?
Sigurisht që është një skuadër shumë e fortë, pavarësisht klasifikimit të këtij sezoni. Ata kanë gjetur një vetëdije si skuadër ndërkombëtare, duke fituar edhe ‘Europa League’. Rruga në Europë është gjithmonë ajo që të jep më shumë besim, ashtu siç ndodhi me ne. Duhet t’i respektojmë, të jemi të kujdesshëm, kanë lojtarë të jashtëzakonshëm dhe cilësi. Duhet të mendojmë më parë për të arritur te Napoli dhe pastaj të shohim.

Çfarë vlere shtesë i jep Conte?
Shumë, është një nga trajnerët më të mirë në botë. E kam filluar rrugëtimin tim këtu me të, sepse vendosi bazat për atë që po bëjmë tani. Kur luajtëm kundër tij ishte e çuditshme, e bukur, por futbolli është kështu; janë pak ata që qëndrojnë të palëvizur.

Çfarë ju ka dhënë Inzaghi?
Trajneri bëri pjesën e tij, bëri disa përmirësime, nëse mund t’i quajmë ashtu, sepse secili ka mënyrën e tij për ta parë futbollin. Sigurisht që ka shtuar diçka që e kemi marrë dhe e kemi mësuar, kemi gjetur një ekuilibër të përsosur. Ai e ka treguar këtë në fushë me atë që ka fituar. Do të mundohemi të bëjmë që të fitojë edhe më shumë trofe, siç ai do ta bëjë me ne. Vetëm e falënderojmë për atë që na jep, për si na bën të ndjehemi, për personin që është. Do të përpiqemi t’i bëjmë disa dhurata më shumë.

Çfarë do të shtonit në ëndrrat tuaja?
Sigurisht, pasi humba finalen, do të më pëlqente ndoshta të mundja ta fitoja Champions League. Kanë ndryshuar shumë lojtarë nga finalja e Stambollit, por thelbi, trajneri dhe klubi kanë mbetur të njëjtë. Kjo nuk duhet të na e heqë fokusimin nga kampionati, që mbetet shumë i rëndësishëm për ne.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit