Barleti Volley fitore me përmbysje ndaj Vllaznisë, përkohësisht në krye

15 Shkurt 2019
19:33
Telesport
back button

Barleti Volley fitoi 3-2 ndaj Vllaznisë në Shkodër, në ndeshjen që hapi javën e 9-të të Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për femra, Grupi A1. Një ndeshje me dy pamje, më e mirë për volejbollistet shkodrane, që fituan dy setet e para. Më pas erdhi përmbysja e ekipit kryeqytetas, që fitoi tri setet e tjera, duke marrë dy pikë, që e ngjitin provizorisht në krye të renditjes.

Vllaznia luan më mirë në setin e parë, ku fiton 25-21, ndërkohë që seti më i bukur është ai i dyti, me emocione e dramacitet në fundin e tij. Vajzat shkodrane fitojnë 26-24, por më pas loja ndërron totalisht kah. Barleti “zgjohet”, duke fituar dy setet e tjera me shifrat e njëjta 25-18 dhe barazon 2-2 shifrat e seteve.

Mikeshat nga kryeqyteti dominojnë edhe në setin final, ku fitojnë 15-8 dhe krejt ndeshjen 3-2. Vllaznia shpërdoroi një avantazh të dyfishtë, duke marrë vetëm një pikë dhe humbet edhe më shumë terren karshi rivaleve. Ndërsa Barleti ngjitet përkohësisht në krye, ku barazohet me pikë me Mirditën.

Volejboll – Femra, Grupi A1, java e 9-të (e premte, 15 shkurt)

Vllaznia – Barleti Volley, 2-3 (25-21, 26-24, 18-25, 18-25, 8-15)

E shtunë, 16 shkurt

Lushnja – Skënderbeu, ora 14:00 (Krutje)

Teuta – Mirdita, ora 16:00 (Durrës)

E hënë, 18 shkurt

Partizani – Tirana, ora 17:00 (Asllan Rusi)

Renditja: Mirdita 21 pikë (7/1), Barleti Volley 21 pikë (7/2), Tirana 18 pikë 6/2), Partizani 17 pikë (6/2), Teuta 9 pikë (3/5), Vllaznia 6 pikë (2/7), Skënderbeu 6 pikë (2/6), Lushnja 1 pikë (0/8).

Lajme të tjera

Lajmet e fundit