Bartomeu nuk ka asnjë dyshim, zbulon të ardhmen e Messit

13 Korrik 2020
10:42
Alfred Lleshi
back button

Presidenti i Barcelonës, ​​Jose Maria Bartomeu, ka ritheksuar bindjen e tij të plotë që Lionel Messi do ta përfundojë karrierën si futbollist në klubin katalanas. 33-vjeçari aktualisht është i kontraktuar deri në fund të sezonit të ardhshëm, por Barcelona po zhvillon bisedime me sulmuesin argjentinas për zgjatje të saj. Ndërsa ka spekulime, që sugjerojnë se Messi është i pakënaqur me Bartomeu dhe udhëheqjen e klubit, të gjitha shenjat tregojnë se ai do të mbetet në “Camp Nou”. Presidenti i Blaugrana-ve konfirmoi se bisedimet fillestare midis lojtarit dhe klubit janë pozitive, ndërsa ekziston bindja se rinovimi do të sigurohet së shpejti.

“Ne kemi folur, po flasim dhe do të vazhdojmë të flasim me Messin, – tha Bartomeu për TV3. – Ai dëshiron ta përfundojë karrierën këtu, ne patjetër do të rinovojmë me të. Unë nuk kam asnjë dyshim se Leo do të qëndrojë këtu”. Messi ka shkëlqyer deri më sot dhe është bërë lojtari i parë në historinë e La Liga-s, që shënon 20 gola dhe jep 20 asiste në të njëjtin sezon, kur “gatoi” golin e fitores së Barcelonës kundër Real Valladolid, të shtunën.

Quique Setien pranoi pas asaj ndeshjeje se ylli i Barcelonës ka nevojë për pushim, por vetë lojtari dëshiron ta ndihmojë kuadrën rregullisht. Në të gjitha garat, këtë sezon, Messi ka shënuar 27 gola dhe ka kontribuar me 25 asiste. Pra, edhe një herë tjetër dëshmon se sa i paçmueshëm është në “Camp Nou”. Meqë Messi po vazhdon të vendosë rekorde në moshën 33-vjeçare, Luis Garcia, kohët e fundit e ka mbështetur yllin argjentinas të vazhdojë të luajë deri të paktën në vitin 2025:

“Pse jo? Mënyra se si ai po luan, duke përshtatur stilin e tij në ndeshje është mbresëlënës. Çdo vit ai na tregon diçka të ndryshme, por mban të njëjtën sasi golash, asistesh. Ai është duke u përshtatur, nuk kalon aq shumë kohë në sulm, sepse e di se është më e vështirë, kështu që bëhet produktiv në mënyra të tjera. Messi po na tregon se është shumë inteligjent, teksa adapton lojën e tij me atë që i duhet ekipit në çdo ndeshje. Unë mund ta shihja atë duke luajtur deri më 2025, lehtësisht!”

 

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit