Ai ishte një nga protagonistët e mëdhenj të titullit, që solli yllin e dytë zikaltër. Alessandro Bastoni ka folur për veten e tij në një intervistë të gjatë për “Sky Sport”, në të cilën është ndalur edhe tek e ardhmja.
Sa emocionuese ishte parada e titullit kampion?
Ishte një emocion i madh. Unë kisha bërë paradën me kombëtaren, pas Kampionatit Evropian, e cila na kishte marrë 3-4 orë. Kësaj radhe na mori dyfishin e kohës. Afeksioni që na ka dhënë tifozëria zikaltër është diçka e vështirë për t’u harruar.
Cilin imazh simbolik zgjidhni për sezonin?
Unë nuk zgjedh një episod, por gjithë vitin. Zgjedh gjithë forcën që kishte grupi. Kishte shumë episode që na shtynë të themi se ndoshta kjo do të ishte koha e duhur. Pas kaq shumë mundësish të humbura, kishim shumë dëshirë për të festuar dhe kompensuar gabimet e së kaluarës. Kjo vjen nga një kolektiv, nga një bashkim ekipor, që tek Interi është parë gjatë gjithë vitit.
Një imazh që na vjen në mendje është goli në Bologna, me këtë punë grupi nga qendërmbrojtësi te qendërmbrojtësi, pothuajse diçka inovative. Kur mendoni për atë lloj rritjeje që keni bërë dhe evolucionin e lojës suaj, çfarë kënaqësie ndjeni?
Është bukur të jesh vitrinë e futbollit modern. Është një evolucion që vjen me Inzaghin. Më parë luanim sipas skemës klasike 3-5-2, tani vështirë se qëndrojmë vetëm kështu. Tani kemi një mirëkuptim dhe harmoni të tillë, kështu që të gjithë e dimë se çfarë do të bëjë partneri ynë dhe i besojmë njëri-tjetrit.
A ju pëlqen të thoni se do të donit ta kalonit gjithë karrierën duke veshur një fanellë, atë të Interit?
Personalisht ndihem kështu, sidomos pas festës dhe shfaqjes së dashurisë nga të gjithë. Është e qartë se kur gjërat shkojnë mirë, është e lehtë të festosh dhe të gjithë të jenë të lumtur. Fatkeqësisht kam kaluar edhe zhgënjime të mëdha, si kur humbëm titullin ose finalen e Ligës së Kampionëve. Edhe atje ndjemë shumë dashuri nga tifozët tanë, kështu që mund t’ju them se kam dëshirë ta shpërblej këtë dashuri.
Modelet tuaja janë Thiago Silva dhe Sergio Ramos. Çfarë je munduar të ‘vjedhësh’ prej tyre?
Personalitetin, të mos kem frikë të luaj ndeshje të caktuara. Nëse bën detyrat e shtëpisë, nuk do të jesh kurrë i papërgatitur, siç thotë Steph Curry, i cili ka qenë gjithmonë modeli im edhe në një sport tjetër, përveç futbollit.
Çfarë ju ka përcjellë Inzaghi?
Marrëdhënia me trajnerin u pa edhe në autobus, gjatë festimeve. Sigurisht, cilësia që ai na përcolli më shumë ishte qetësia e daljes në fushë për të luajtur futboll.
Çfarë kapiteni është Lautaro?
Ai trashëgoi një përgjegjësi të madhe. Deri vitin e kaluar ne kishim Handanovic, i cili ishte një personalitet i madh në dhomat e zhveshjes. Nuk ishte e lehtë për t’u zëvendësuar. Ai e interpreton ndryshe këtë rol, sepse gjithsesi është i një moshe tjetër.
Kush ju ka befasuar më shumë?
Patjetër Thuram, nuk e mendoja se mund të kishte një qasje kaq të fortë në futbollin tonë. Ne kishim luajtur tashmë kundër tij me Borussia Moenchengladbach, por nuk më kishte bërë aq shumë përshtypje. Ai është inteligjent në lëvizjet e tij dhe se sa punon për ekipin. Nëse duhet t’ju them një, do t’ju them Marcus.
Interi do të startojë si favorit sezonin e ardhshëm…
E thashë para stërvitjes disa javë më parë, se pas stuhisë ka gjithmonë diell… Në futboll, gjëja më e vështirë është të përsërisësh veten, tani do të na sulmojnë të gjithë. Duke filluar nga sezoni i ardhshëm, të gjithë do të jenë gati ta drejtojmë gishtin drejt nesh. Vërtet duam ta përsërisim veten, por do të jetë e vështirë. Edhe pse shumë prej nesh mund të kemi përvojë, jemi ende djem të rinj, me dëshirë të madhe për të fituar.