Bastoni zbulon çfarë ua përsërit çdo ditë trajneri Inzaghi: Tek Interi përgjithmonë? Kjo është shtëpia ime…

15 Gusht 2024
9:20
Alfred Lleshi
back button

Interi e fillon sezonin e ri për të rikonfirmuar veten, duke e ditur se ta bëjë këtë do të jetë edhe më e vështirë. Kështu e pagëzon Alessandro Bastoni sezonin e ri zikaltër, që do të hapet të shtunën në “Marassi” kundër Genoa.

Titulli dhe ylli i dytë janë një pikënisje për mbrojtësin e zikaltërve, i intervistuar nga “SportMediaset”: “Trajneri na e përsërit çdo ditë, e dimë sa e vështirë do të jetë ta përsërisim veten, pas një sezoni si ai i kaluari.

Të gjithë duhet të bëjmë një hap përpara, qoftë edhe mendërisht. Të fitojmë sërish në Itali dhe të provojmë në Europë. Në fund të sezonit do të jem i lumtur nëse nuk pendohemi për gjëra që i nënvlerësuam, nuk i bëmë me përkushtimin e duhur”.

Gëzimi i arritjes së sezonit të kaluar është një nxitje shumë e fortë dhe arsye për të përqafuar projektin zikaltër gjithë karrierën: “Është bukur të kesh vlerësimin e skuadrave të mëdha, por ndihem mirë këtu, ndjej besimin e të gjithëve. Kjo është shtëpia ime dhe këtu do të qëndroj”.

Për kampionatin e ri, a mund të zgjidhni dy kundërshtarë potencialë për titullin?
Zgjedhja e dy rivalëve direktë është e vështirë, po shohim nga merkatoja se konkurrentët tanë po nënshkruajnë me lojtarë të rëndësishëm. Do të jetë një kampionat shumë i hapur dhe i vështirë, do të duhet të bëjmë një hap shumë të rëndësishëm mendor përpara të përsëritur atë që bëmë sezonin e kaluar.

Në Serie A, kush ju vë më shumë në vështirësi?
Ka shumë: Vlahovic, Politano… Më shumë se lojtarët janë sistemet dhe organizimi i lojës, që të vënë në vështirësi. Në Serie A të gjitha skuadrat po rriten.

Po në Europë?
Nëse më duhet të them një, do të doja të përballesha me Real Madridin këtë sezon.

Si do të na duhet të ndryshojmë mentalitetin tonë në Champions League?
E meta jonë vitin e kaluar ishte Liga e Kampionëve, ndoshta fitorja e ndeshjes së parë na bëri të relaksohemi pak. Do të duhet ta përballojmë çdo ndeshje me shpirtin e duhur, lojtarë të rëndësishëm kanë ardhur nga ky këndvështrim, prandaj kemi besim për këtë edicion.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit