Bayer Leverkusen ofron tatuazhe falas për tifozët: Përjetësojeni në trupin tuaj sezonin historik

13 Maj 2024
8:10
Alfred Lleshi
back button

Tifozët e Bayer Leverkusenit, të cilët dëshirojnë që sezoni 2023-2024 të jetë i gdhendur në lëkurën e tyre gjatë gjithë jetës, do të mund ta bëjnë këtë pa pagesë. Në fakt, klubi teutonik ka njoftuar nismën që synon tifozët e vet, e cila përfshin tatuazhe falas për të festuar një sezon tashmë magjik, që mund të përfundojë në një mënyrë të pabesueshme.

Pas fitimit të titullit të kampionit gjerman për herë të parë në histori, Bayer është në finalen e “Europa League”, ku do të përballet me Atalantën e Gasperinit më 22 maj në Dublin, si dhe të Kupës së Gjermanisë, ku do të sfidojë Kaiserslautern.

Në horizont shfaqet tripleta sezonale, megjithatë fusha do ta japë verdiktin përfundimtar për një skuadër që ka shkruar tashmë disa faqe histori, duke përfshirë edhe serinë më të gjatë të pamposhtmërisë me 49 ndeshje pa humbje, në të gjitha garat. Rekordi i mëparshëm i Benfica është thyer, me klubin portugez që kishte kaluar 48 ndeshje radhazi pa humbje.

“Rezervoni takimin tuaj tani për të përjetësuar këtë sezon unik në lëkurën tuaj”. Ky është mesazhi i publikuar në kanalet zyrtare të Bayer Leverkusen. Klubi teutonik ka vendosur ta shpallë nismën speciale që lejon fansat e tij të bëjnë një tatuazh mes modeleve të ofruara totalisht falas dhe pa asnjë kosto.

Kampionët e rinj të Gjermanisë janë në kërkim të tripletës së bujshme. Veç titullit të Bundesligës, të siguruar tashmë, “Europa League” dhe Kupa e Gjermanisë janë në pritje, për t’u fituar në finalet që do të luhen në javët e ardhshme, përkatësisht më 22 dhe 25 maj.

Ja të gjitha detajet për tifozët në njoftimin për shtyp të Bayer Leverkusen: “Bayer Leverkusen do të ofrojë mundësinë e veçantë për fansat që të kenë një tatuazh nga dizajnet që kemi zgjedhur. Një gjest i veçantë për një sezon të veçantë.

Datat për tatuazhet falas do të jenë 13-15 maj në ‘BayArena’ për fansat që rezervojnë online. Më pas, më 18 maj, para ndeshjes kundër Augsburgut, më 25 maj në festivalin e tifozëve në Berlin dhe më në fund më 26 maj, sërish në Leverkusen”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit