Bayern Munich kryeson i shkëputur me 5 pikë nga vendi i dytë renditjen e Bundesliga pas ndeshjeve të raundit të dhjetë. Fitorja 1-0 ndaj St.Pauli konfirmoi edhe një herë se këtë sezon bavarezët janë duke bërë një paraqitje më të mirë.
“Jemi të parët në kampionat dhe ky është një sinjal i mirë, por jemi vetëm në javën e dhjetë. Sezoni është shumë i gjatë dhe duhet kujdes deri në fund. Ndaj St.Pauli nuk ishte e lehtë dhe e dimë se do të ketë shumë ndeshje të tilla”, tha Vincent Kompany.
Më tej, trajneri i baravezëve shtoi: “Pas këtij pushimi do të jetë një tjetër periudhë e vështirë, me shumë ndeshje, ndaj duhet të punojmë me qetësi. U kam kërkuar vetëm një gjë lojtarëve të mi, të mos nxitohen në fushë. Jemi aty ku na takon të jemi”.
“Këtë sezon janë shumë ndeshje, ndaj kemi mundësi të aktivizojmë të gjithë lojtarët, për të patur një ekip të freskët. Për mua kjo gjë është shumë e rëndësishme, pasi kështu mund të evitojmë dëmtimet”, tha Kompany.