Bayern Munich rrëmben mbrojtësin e Ajax. Kontratë deri më 2026, mungon vetëm zyrtarizimi

12 Maj 2022
8:45
Alfred Lleshi
back button

Noussair Mazraoui ka nënshkruar kontratë 4-vjeçare me Bayern Munich. Operacioni, një nga të fundit të përvijuar nga Mino Raiola para vdekjes së tij, u finalizua në orët e fundit nga klubi bavarez, që nënshkroi me mbrojtësin e djathtë maroken, të cilit i skadon kontrata me Ajax.

Në këtë pikë mungon vetëm njoftimi zyrtar. Me këtë blerje, nënvizon ‘Kicker’, Benjamin Pavard do të mund të rikthehet për të luajtur në pozicionin e tij të preferuar, ose në qendër të mbrojtjes.

Edhe talenti 19-vjeçar i Ajax, Ryan Gravenberch, thuhet se është afër arritjes së marraveshjes me Bayern Munich, duke qenë se klubi gjerman ka qenë më konkret në negociata edhe me agjentin e diamantit holandez, që është rritur në fidanishten e “harkëtarëve”.

Sipas mediave spanjolle, klubi bavarez i ka ofruar lojtarit një marrëveshje, ku besohet se 19-vjeçari ka pranuar të transferohet në “Allianz Arena” gjatë merkatos së verës, për të mbajtur veshur fanellën e gjigandëve gjermanë. Bavarezët duan ta finalizojnë sa më parë transferimin e Gravenberch.

Kjo sepse duan të ndërtojnë ciklin e ri me elementë që do të japin kontributin. Mesfushori i talentuar që sivjet ka treguar rritje dhe ka shkëlqyer do të ishte afrimi i dytë nga Ajax, pasi Bayerni ka siguruar me parametra zero edhe Mazraoui.

Real Madrid, Manchester United dhe Barcelona gjithashtu interesohen për Gravenbech, por duket se Bayerni ka pasur takime të vazhdueshme dhe ka e bindur lojtarin, ashtu edhe Ajax, që ka nevojë të arkëtojë financa.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit