Pas humbjes së titullit gjerman pas një dekade, Bayern Munich po përjeton një verë shumë të rëndësishme, atë të rilindjes si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar. Ka shumë për të bërë në treg, përsa i përket hyrjes, daljes dhe rinovimit të kontratave, duke qenë se disa lojtarë të rëndësishëm janë një vit larg skadimit.
Mes tyre është edhe Alphonso Davies, i cili tashmë është kthyer në një çështje shqetësuese. Prej muajsh, klubi bavarez ka negociuar një zgjatje të kontratës për të shmangur “sirenat” që vijnë nga Madridi, ku Real duket i lumtur ta mirëpresë atë në një transferim të lirë pas një viti.
Uli Hoenes, president nderi i Bayern Munich, foli për këtë temë dhe sqaroi për mediat gjermane situatën aktuale të lidhur me mbrojtësin e majtë kanadez: “Ne i thamë atij shumë qartë se nëse ai nuk rinovon kontratën e tij, do ta lëmë të skadojë. Nuk do t’i ofrojmë më shumë parà“.