Bayern Munich “riniset” me fitore dhe ka arritur te mposhte me rezultat 3-0 në shtëpi Augsburg në kuadër të javës së 11-të në elitën e futbollit gjerman. Bavarezët dominuan këtë takim që nga minuta e parë, duke mos i lejuar ekipit mysafir në pothuajse asnjë rast që të rrezikojnë portën e tyre.
Rasti i parë serioz erdhi në minutën e 28-të përmes Jamal Musiala, por gjuajtja e tij u prit me shumë mund nga portieri i Augbsurgut. Në minutën e 49-të Bayerni iu afrua sërish golit, kësaj radhe me Leon Goretzkan i cili me kokë goditi traversën.
Pas shumë përpjekjeve Bayerni e gjeti golin në minutën e 63-të përmes Harry Kane i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë për rezultatin 1-0. Ishte pikërisht futbollisti anglez ai i cili shënoi në të njëjtën mënyrë edhe golin e dytë (91’) duke u treguar sërish i saktë nga penalltia për 2-0.
Kane e gjeti edhe golin e hat-trick vetëm pak çaste pas golit të dytë duke realizuar për 3-0 në minutën e 95-të në portën e hapur. Me këtë fitore Bayerni shkon në kuotën e 29 pikëve në Bundesliga, tetë më shumë se RB Leipzig që gjendet në pozitën e dytë me 21 dhe nesër (e shtunë) luan ndaj Hoffenheimit.
Harry Kane për klubin dhe kombëtaren këtë sezon ka luajtur 22 ndeshje duke shenuar 22 gola dhe dhene 7 asistime. Kurioziteti: 25 penallti radhazi të shënuara për klubin dhe kombëtaren e Anglisë.