Bayern s’përmbahet ndaj Augsburg, Berisha konfirmohet makthi i bavarezëve me një dygolësh (Pamjet)

11 Mars 2023
17:25
Denis Hakanaj
back button

Bayern Munich ka marrë një fitore bindëse 5-3 në shtëpi kundër Augsburg në javën e 24-t të kampionatit dhe është shkëputur përkohësisht në kreun e renditjes nga Dortmund, që do të luajë në 18:30 në fushën e Schalke-s.

GOLI I BERISHES – VIDEO

Megjithatë, ndeshja nuk ka nisur aspak mirë për kampionët në fuqi të Gjermanisë, që kanë pësuar gol pas vetëm 2 minutash lojë. Ka qenë Mërgim Berisha që ka shënuiar për miqtë.

Sulmuesi gjerman me origjinë nga Kosova ka shmangur mbulimin e Cancelo-s me një lëvizje shumë të bukur brenda zonës së rreptësisë dhe ka mposhtur portierin Sommer pa shumë probleme.

GOLI I CANCELO – VIDEO

Bavarezët janë kundërpërgjigjur në minutën e 15-të pikërisht me ish-mbrojtësin e Manchester City-t, i cili ka barazuar me një gol shumë të bukur nga brenda zonës së rreptësisë.

Katër minuta më vonë ka ardhur edhe goli i dytë për skuadrën e Julian Nagelsmann. Edhe këtë herë ka qenë një mbrojtës që ka shënuar për Bayern-in, Benjamin Pavard, i cili ka marrë një asist me roveshiatë nga Mane.

GOLI I PAVARD – VIDEO

Mbrojtësi francez ka qenë protagonist edhe në minutën e 35-të duke realizuar edhe golin e tretë për ekipin e tij. 26-vjeçari ka realizuar me një goditje spektakolare fluturimthi brenda zonës së rreptësisë.

GOLI I DYTE I PAVARD – VIDEO

Në minutën e 45-të bavarezët kanë kompletuar pokerin me Leroy Sane. Ylli i kombëtares gjermane ka përfituar nga një rrëmujë në zonën e rreptësisë dhe ka shënuar me portën e boshatisur.

GOLI I SANE – VIDEO

Miqtë kanë arritur të ngushtojnë diferencat në 4-2 në minutën e 60-të. Autori i golit ka qenë përsëri Mërgim Berisha, i cili ka mposhtur Sommer nga pika e bardhë e penalltisë. Kosovari ka arritur ta dërgojë topin në rrjetë pavarësisht se ka rrëshqitur në momentin e goditjes.

GOLI I DYTE I BERISHES – VIDEO

24-vjeçari është një makth i vërtetë për Bayern-in, duke parë se ka shënuar kundër bavarezëve në të katër përballjet që ka luajtur kundër tyre.

GOLI I DAVIES – VIDEO

Megjithatë, Bayern ka kthyer avantazhin prej tre golash në minutën e 74-t. Ka qenë Davies që ka shënuar golin e pestë për bavarezët me një finalizim të bukur pas super asistit të marrë nga Cancelo.

Në fundin e ndeshjes, Augsburg ka arritur të gjejë edhe golin e tretë të shënuar nga Cardona në minutën e 93-të të takimit të luajtur në Allianz Arena pasditen e sotme.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit