Bayern Munich ka kërkuar nga Joshua Kimmich që të japë një përgjigje sa më shpejt lidhur me rinovimin e kontratës së tij. Siç raporton “Sky Sport DE”, klubi bavarez e kishte informuar prej kohësh lojtarin se dëshiron të dijë qëndrimin e tij deri në pushimin dimëror, duke qenë se kontrata i skadon në qershor. Tani, kampionët e shumëfishtë gjermanë presin që Kimmich ta respektojë këtë afat.
“Nëse e lë një lojtar të hyjë në vitin e fundit të kontratës, ai ka të gjitha kartat në dorë dhe mundësinë për të bërë çfarë të dojë. Në përgjithësi, duhet t’i shmangim situata të tilla. Sidoqoftë, në futboll mund të zëvendësosh cilindo. Ky është qëndrimi i duhur që duhet të kemi, çdo lojtar është i zëvendësueshëm në një klub të madh”, – tha Max Eberl, drejtori sportiv i Bayern Munich, në një deklaratë të fundit.
Ndërkohë, Max Eberl ka filluar të planifikojë për verën e ardhshme. Një nga objektivat kryesorë për të përforcuar Bayernin është Nico Williams. Lojtari i ri spanjoll, i lindur më 2002, ka shkëlqyer në Kampionatin Europian të fundit të fituar nga Spanja dhe mund të largohet nga Athletic Bilbao për një shifër mes 55 dhe 60 milionë euro në fund të sezonit.
Për Nico Williams ka shfaqur interes prej kohësh edhe Barcelona, e cila verën e kaluar bëri një përpjekje për ta transferuar nga klubi bask, por pa sukses.