Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, ka thënë se nuk do të rrezikojë me skuadrën e tij të parë në ndeshje kundër Tottenham, në Carabao Cup ditën e mërkurë. “Citizens” do të luajnë në fushën e Spurs në raundin e katërt, por në fushë mund të zbresë një skuadër krejt ndryshe nga ajo e mësuar të shohim zakonisht.
Pep Guardiola kërkon të tregohet i kujdesshëm që të mos pësojë lëndime, me Premier League dhe Champions League që janë dy objektivat e tij kryesorë. Katër ndeshjet e ardhshme të Manchester City, para pushimit ndërkombëtar të nëntorit, janë të gjitha jashtë shtëpisë.
“Ne folëm për këtë me skuadrën. Duhet të kujdesemi për veten tone, për lojtarët, të flenë shumë, të përdorin pije dhe ushqim të mirë, stërvitje dhe rikuperim”, u shpreh sot trajneri spanjoll për sfidën e radhës së kampionëve të Anglisë.
Më tej, Pep Guardiola shtoi: “Do të doja të kisha të gjithë në dispozicion, por nuk është e mundur. Kemi edhe dëmtime, ndaj në pozitat që jemi aktualisht do të na duhet të bëjmë më të mirën, duke marrë edhe disa vendime”.
“Unë mendoj për ndeshjen ndaj Tottenham dhe ndoshta do të luajnë titullarë disa lojtarë nga Akademia e City. Do të shohim edhe këto 2-3 ditë para se të vendosim. Sigurisht që ne shkojmë atje për të fituar, por objektivi kryesor është Bournemouth në kampionat, Sporting në Champions dhe më pas Brighton sërish në Premier”, tha Guardiola.
“Ne do të marrim një vendim dhe nëse lojtarët janë mirë ata mund të luajnë kundër Spurs në Carabao Cup. Por, nëse ndonjëri prej tyre nuk është gati apo ka ndonjë dyshim, nuk do të rrezikojmë. Kjo është e sigurtë”, tha Guardiola.