Sylvinho, trajneri i Kombëtares, është shprehur kundër zgjerimit të listës së Europianit, në mbledhjen që u mbajt në fillim të muajit prill nga UEFA në Dyseldorf të Gjermanisë, me të gjithë trajnerët.
Diskutimi ishte i qartë, disa trajnerë të kombëtareve pjesëmarrëse ngritën tezën për të kaluar nga 23 lojtarë në 26 të përfshirë në listën përfundimtare për Europianin.
Një zgjerim i listës patjetër që do t’i jepte më shumë alternativa Sylvinhos dhe lehtësim në zgjedhjet që do të bënte, por nga ana tjetër do t’i shtonte “dhimbjet e kokës”.
Në bashkëbisedimin me disa gazetarë gjatë aktivitetit që FSHF-ja organizoi në “Air Albania”, ai tha:
“Nuk është e lehtë për trajnerin që gjatë një seance stërvitore, të lërë jashtë katër futbollistë dhe t’u komunikojë se duhet të punojnë të veçuar, ose të shohin shokët e skuadrës që përfshihen në taktikën që ai do të përgatisë”, ka thënë trajneri.
Normalisht që do të lindin pakënaqësi dhe për këtë Sylvinho është i bindur se diçka e tillë duhet shmangur. Gjithsesi, UEFA pritet të dalë me një vendim javët në vijim në lidhje me çështjen e zgjerimit të listës.