Kush mund të jetë lojtari që i afrohet më shumë stilit të lojës që e ka dalluar gjithmonë David Beckham nga çdo lojtar tjetër?
Për elegancën në lëvizje, prekjen e topit, ekzekutimit mjeshtëror të goditjeve të dënimit dhe më shumë.
Një pyetje interesante që Rio Ferdinand, ish-shoku i tij i skuadrës, i ka bërë legjendës angleze dhe pronarit aktual të Inter Miami në intervistën për ‘Rio Meets’ në kanalin e dedikuar në Instagram RioFerdinandPresents.
“Unë mendoj se nëse ka një lojtar që e shikoj dhe mendoj se është shumë i ngjashëm në mënyrën se si e pason topin dhe si e kroson topin… është Trent Alexander-Arnold”.
“Po mendoja për Kevin De Bruyne”, ka thënë Ferdinand me Beckham që ka thënë duke qeshur: “Epo, Kevin është gjithashtu i mirë. Më pëlqen të luaj si ai”.
Duke iu kthyer zgjedhjes për Alexander-Arnold:
“Unë sinqerisht mendoj se ai është një lojtar i jashtëzakonshëm, por kur shikoj një lojtar dhe mendoj se e shoh veten në mënyrën se si ai e kroson topin në zonë, në atë që ai sheh në topat e gjatë që luan… ai luan topa që të tjerët as nuk i mendojnë dhe kjo është ajo që më pëlqen tek ai si pasues”.