Benitez lartëson anësorin e Interit: I domosdoshëm për Inzaghin dhe Spallettin

25 Tetor 2024
11:05
Alfred Lleshi
back button

Rafa Benitez, ish-trajneri i Napolit dhe Interit, ndër të tjera, ka dhënë një intervistë të gjatë për “Gazzetta dello Sport”, në të cilën ka folur edhe për Federico Dimarco, duke e lavdëruar anësorin zikaltër: “Është një lojtar me intensitet të jashtëzakonshëm.

Këtë mund ta konstatoni qartë në zhvillimin e ndeshjes, sepse atletizmi i tij përfundon duke lënë gjurmë. Tani është bërë element thelbësor për Inzaghin, por edhe Spallettin. Më pëlqejnë leximet e duhura të lojës prej tij dhe mbi të gjitha asistet për shokët e skuadrës”.

Disa fjalë edhe për Juventusin, pas humbjes në Ligën e Kampionëve ndaj Shtutgartit: “Do të kishte qenë e pamundur të parashikohej një mbrëmje e keqe si ajo e së martës, por ata që jetojnë për futbollin, si Thiago Motta dhe si drejtuesit e Juventusit, e dinë se mund të ndodhë.

Tani duhet ta lënë pas atë humbje, ta harrojnë ose ta përvetësojnë si mësim, duhet të shikojnë përpara. Kalendari nuk e ndihmon shumë, Juve ka angazhime të ndërlikuara, por cilësitë teknike janë aty dhe rikthimi te suksesi është ende i mundur. Liga e Kampionëve vazhdon deri në janar”.

Trajneri spanjoll analizoi edhe rrugën e skuadrave italiane në Champions League: “Tri ndeshje janë luajtur, nuk janë shumë. Mgjithatë, prirjet mund të shihen tashmë. Milani do të shkojë në Madrid për t’u përballur me Realin, Juventusi do të udhëtojë drejt Francës për të sfiduar Lille,  Atalanta në transfertën e Shtutgartit, Interi pret Arsenalin në ‘San Siro’, ndërsa Bologna do të luajë kundër Monacos.

Sfida mjaft të vështira të gjitha për italianët, por kur je në Champions League nuk mund të të bëjnë përshtypje këto gjëra. Në këtë kompeticion ka ndeshje shumë të vështira, por jo të pamundura”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit