Benzema mban në ankth Realin, zbuloni nëse do të luajë apo jo në derbin e Madridit

16 Shtator 2022
9:20
Alfred Lleshi
back button

Karim Benzema ende nuk është duke u ushtruar me pjesën tjetër të bashkëlojtarëve të tij, dy ditë para derbit të Madridit në “Wanda Metropolitano”. Sipas burimeve nga dhoma e zhveshjes së Real Madridit, ai praktikisht është i përjashtuar për ndeshjen e së dielës kundër Atlético Madridit.

Sulmuesi francez nuk hyri në fushë në rikthimin e Real Madridit në stërvitje, pas fitores kundër Leipzig në ndeshjen e dytë të Ligës së Kampionëve. Ai ka qëndruar brenda ambienteve të qytetit sportiv të Valdebebas duke marrë trajtim fizioterapie.

Pasi u dëmtua në Glasgow nëntë ditë më parë, pësoi një lëndim të dyfishtë muskulor në kofshën e djathtë me një këputje në muskulin gjysmë tendinoz dhe një mbingarkesë në kuadriceps. Stafi stërvitor kishte shpresë se evolucioni i Karim do ta lejonte të bëhej gati për derbin e Madridit.

Benzema fillimisht u përjashtua dhe 2 tetori u caktua si data ideale për rikthimin e tij, duke përfituar nga pushimi për shkak të ndeshjeve të kombëtares dhe mungesa e tij me Francën, për një rikuperim perfekt. Përparimet fillestare pas lajmit të mirë se gjuri i tij i djathtë nuk u prek nxitën një mesazh nga Ancelotti, duke e lënë derën hapur për praninë e tij në “Wanda Metropolitano”.

“Me Karim strategjia nuk ndryshon, – siguroi Ancelotti pas ndeshjes së fundit të Real Madridit. – Do të shohim në ditët në vijim nëse ai stërvitet apo jo, por siç thashë nuk do të rrezikojmë asgjë. Nëse stërvitet mirë të shtunën, do të luajë të dielën”.

Në momentin që Benzema është larg punës me grupin, ai nuk ka filluar të stërvitet i vetëm në fushë si hapi i fundit i planit të rikuperimit të tij. Ai kufizohet të bëjë punën e forcës së sipërme të trupit në palestër, në pishinë dhe me fizioterapistët. Është ende pezull mundësia që ai të testohet me pjesën tjetër të bashkëlojtarëve të tij të shtunën.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit