Besëlidhja “leksion” Vllaznisë e nis shkëputjen, Teuta mposht Tiranën për vendin e dytë

18 Mars 2024
8:55
Telesport
back button

Është mbyllur java e 17-të e Superligës në basketboll për meshkuj, duke konfirmuar skuadrën e Besëlidhjes në krye të renditjes. Lezhjanët e trajnerit Bilali fituan 86-71 ndaj Vllaznisë në Shkodër, një përballje mes dy ekipesh pretendente këtë sezon. Wilkinis realizoi 26 pikë për shkodranët, por që s’mjaftuan, ndërsa për Besëlidhjen u dalluan Weekes me 23 pikë, Marquardt me 20 e Caldwell me 18 pikë.

Fitore të rëndësishme korri në shtëpinë e saj ekipi i Teutës, që mundi 90-81 Tiranën, një duel mes dy skuadrave që luftojnë për vendin e dytë në renditje. Një ndeshje e ekuilibruar për 30 minuta, vendosur në fabor të vendasve 10 minutat e fundit. Small e Bacon me nga 20 pikë secili u dalluan për Teutën, duke i bërë të pavlefshme 45 pikët e dyshes Hysenagolli-Jordan për bardheblutë.

Apolonia fitoi me lehtësi 105-69 ndaj Fieri Basket në derbin fierak. Ndeshje pa histori, ku tri lojtarë të Apolonisë realizuan mbi 20 pikë. Fitore të rëndësishme për një vend në Superligë sezonin tjetër korri Partizani, që mundi 76-56 Flamurtarin. Për kryeqytetasit u dallua Mussie me 23 pikë. Rikthehet te suksesi Kamza Basket, që mundi 103-49 Skënderbeun, sfidë ku u dallua Keyes me 25 pikë.

Superliga-Meshkuj, java e 17-të

Kamza Basket – Skënderbeu, 103-49

Partizani – Flamurtari, 76-56

Teuta – Tirana, 90-81

Apolonia – Fieri Basket, 105-69

Vllaznia – Besëlidhja, 71-86

Elbasani (pushim)

Renditja: Besëlidhja 32 pikë, Tirana 29 pikë, Teuta 29 pikë, Kamza Basket 28 pikë, Vllaznia 27 pikë, Apolonia 26 pikë, Partizani 22 pikë, Elbasani 21 pikë, Flamurtari 21 pikë, Fieri Basket 18 pikë, Skënderbeu 17 pikë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit