“Bild”: Barça dhe Real Madridi, në garë për yllin gjerman

19 Mars 2020
11:43
Alfred Lleshi
back button

Kur dukej që Leroy Sané do të nënshkruante këtë verë me Bayern Munich, orët e fundit duket se ky skenar ka marrë një kthesë të papritur. Sipas gazetës gjermane “Bild”, dy gjigantët spanjollë, Real Madrid dhe Barcelona, kanë hyrë në garën për lojtarin e “qytetarëve”.

Zinedine Zidane i ka kërkuar presidentit të tij, Florentino Pérez, të bëjë një përpjekje dhe ta ndjekë situatën e Leroy Sané te Manchester City, klub me të cilin ai ka një kontratë deri në qershor 2021. Gjermani duket se e ka derën hapur për t’i lënë “qytetarët”, nëse arrin një ofertë e mirë, pasi ai nuk duket gati ta zgjasë kontratën. 

Para kësaj situate, sipas informacioneve të fundit, Real Madridi dhe Barcelona kanë kontaktuar me mjedisin rrethues të Leroy Sané, duke i ofruar yllit gjerman kontratë. Sidoqoftë, për momentin, Bayern Munich duket se është më përpara. Bild” zbulon se javën e kaluar u zhvillua një takim midis drejtorit sportiv të Bayernit, Hasan Salihamidzic, dhe “LIAN Sports” në Mynih, kompani që përfaqëson Leroy Sané.

Bavarezët e kanë shfrytëzuar mundësinë për t’i paraqitur agjencisë interesin e tyre dhe një kontratë 5-vjeçare, me pagë më të madhe se aktualja te Manchester City. Real Madridi dhe Barcelona, pra, duket se nuk do ta kenë të lehtë ta rrëmbejnë Leroy Sané.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit