Blindohet Madridi, numër i pabesueshëm policësh për finalen e “Copa Libertadores”

7 Dhjetor 2018
15:47
Alfred Lleshi
back button

Rreth 4000 trupa policore dhe të organeve inteligjente spanjolle do të jenë të angazhuara për sigurinë e finales së “Copa Libertadores”, që do të luhet të dielën në “Santiago Bernabeu”, mes Boca Juniors dhe River Plate, në orën 20:30.

Siç ka shpjeguar José Manuel Rodríguez, delegati i qeverisë në Madrid, në një konferencë për shtyp, më shumë se gjysma janë anëtarë të Policisë Kombëtare, më shumë se njëqind policë bashkiakë, ndërsa 1700 staf mjekësor, roje sigurie, pjesëtarë të Kryqit të Kuq, anëtarë të Mbrojtjes Civile dhe të RFEF.

Masat e sigurisë përfshijnë planin e lëvizjes së makinave, që do të disiplinohet në qytetin e Madridit që të dielën herët, në mëngjes. Do të reduktohet trafiku dhe do të kufizohet parkimi në afërsi të “Santiago Bernabéu”.

Plani i sigurisë tashmë ka filluar, që këtë të premte, me ndalesa të trafikut në zonat pranë stadiumit, gjithashtu edhe në “Fan Zone”, të vendosura në të dyja skajet e “Paseo de la Castellana”. Tifozët e River Plate do të jenë në “Plaza de Cuzco”, ndërsa ata të Boca Juniors pranë “Raimundo Fernandez Villaverde”, deri në “Nuevos Ministerios”. Kjo arterie e kryeqytetit të Madridit do të bllokohet të dielën, nga ora 9 e mëngjesit.

Që nga kjo e premte, Policia Kombëtare po kryen detyra të sigurisë, si kontrollimi i kanalizimeve dhe heqja e koshave të mbeturinave. Pritet që drejt Madridit të udhëtojnë 400 deri në 500 tifozë të dhunshëm argjentinas, që mund të përbëjnë problem në çdo moment.

Delegati i qeverisë, Rodriguez Uribes, nënvizoi se pjesa më e madhe e tifozëve vijnë për të shijuar festën e futbollit, por mund të ketë edhe "minoritete", që do të synojnë të përsërisin dhunën e ndodhur në “Monumental”, e cila shkaktoi pezullimin dhe transferimin përfundimtar të ndeshjes finale të “Copa Libertadores” në “koliseumin e bardhë”.

Ai nuk pranoi të përcaktojë koston e sigurisë së kësaj finaleje argjentinase, por mendon se shpenzimet do të jenë të paktën 650.000 €. Kjo kosto është evidentuar nga Policia Kombëtare për raste të tjera ndeshjesh të mëdha, që janë luajtur në Madrid, siç është finalja e Ligës së Kampionëve në vitin 2010. Sidoqoftë, kjo duket një shifër e vogël në raport me 40 milionë euro të ardhura, që pritet të gjenerojë kjo finale.

Telesport është krenar që bashkëpunon me Krowd9, një aplikacion fantastik i futbollit për shqiptarët! Shkarkojeni > bit.ly/krowd9 për video me përmbledhje ndeshjesh, njoftime të menjëhershme për golat dhe të gjitha lajmet e Telesport! Krowd9 është i përdorshëm në shqip, italisht dhe anglisht.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit