Boban “nxin” UEFA-n: Atje mendojnë se janë më të rëndësishëm se vetë futbolli, lojtarët, trajnerët, skuadrat

13 Shtator 2024
8:41
Alfred Lleshi
back button

Ish-sulmuesi dhe menaxheri Zvonimir Boban ka dhënë një intervistë të gjatë për “Gazzetta dello Sport”, gjatë së cilës ka prekur tema të ndryshme. Për shembull u ndal te lamtumira e tij nga UEFA (ku ishte kreu i futbollit) i datës 27 janar: “Kam bërë shumë kompromise në jetën time, madje më vjen turp për disa prej tyre.

Sidoqoftë, përballë uzurpimit dhe politikës së pastër të atyre që, për të mbrojtur interesat personale, njollosin të gjithë futbollin dhe institucionet e tij, nuk ishte e mundur të vazhdohej. Lamtumira ime ishte një vendim i pashmangshëm, megjithëse i dhimbshëm.

Prej vitesh kemi parë teknokratë të tërbuar në sistem, njerëz që mendojnë se janë më të rëndësishëm se vetë futbolli, lojtarët, trajnerët, skuadrat. Nuk kam folur më me Ceferin, më vjen keq si përfundoi marrëdhënia jonë”.

Në intervistën e tij kishte hapësirë ​​edhe për futbollin e luajtur, fillimin e formatit të ri të Champions League: “Edhe sikur të jetë krijuar për të gjeneruar të ardhura, pa u kujdesur për lojtarët dhe kalendarin, nuk më duket zgjedhje optimale. Kam debatuar shumë në UEFA për skemën e fazës së grupit, ku fillimisht ishin planifikuar 10 ndeshje dhe tani janë 8 të tilla”.

Çfarë pret ai nga skuadrat italiane? Boban përgjigjet: “Interi ka treguar se mund të konkurrojë me të gjithë, të tjerët nuk i shoh në këtë nivel”. Duke folur për zikaltrit, Boban tha se janë sërish favoritët kryesorë për titullin në Serie A (“skuadra më e fortë dhe më e kompletuar”), por kishte fjalë të bukura edhe për Juventusin e ri: “Më pëlqen shumë Motta, ai krijoi një kryevepër në Bologna. Koopmeiners duket blerje e goditur. Ai nuk vlen 60 milionë euro, është lojtar i shkëlqyer, por jo një kampion”.

Ishte e pashmangshme që Boban të mos fokusohej edhe te Milani: “Fatkeqësisht jemi ende në gjyq… Unë e respektoj shumë Fonseca, duhet t’i jepet kohë, por më shqetëson fakti se ende nuk ka dhënë sigurinë që kjo skuadër mund të luajë vetëm me 4-3-3. Ai është inteligjent, shpresoj se mund ta korrigjojë veten”.

Përfundimi me një panoramim të të tjerëve: “Conte ka arritur gjithmonë rezultate, duhet të ketë durim te Napoli, gjë që shpesh nuk e ka për shkak të karakterit të tij. Atalanta është krenaria e të gjithë atyre që e duan futbollin, besoj se do të bëjnë akoma mirë. Shpresoj se Roma mund të luftojë për një vend në Ligën e Kampionëve, por do të jetë shumë e vështirë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit