Bojan Krkic, së bashku me nënpresidentin e parë, Rafa Yuste, ishin dy përfaqësuesit e Barcelona në “Grimaldi Forum” të Monaco për shortin e Champions League 2024/25, i cili ka formatin e ri këtë sezon.
Koordinatori i zonës së futbollit të klubit blaugrana pranoi se të gjithë mezi po prisnin për të parë se si do të ishte shorti, me të cilin “ne do të duhet të përshtatemi”.
Rivalët e Barçës do të jenë Bayern Munich, Atalanta, Young Boys dhe Brest në kryeqytetin katalanas; ndërsa ndeshjet jashtë do t’i luajë kundër Borussia Dortmundit, Benfica, Crvena Zvezda dhe Monaco. Bojan siguroi se “të gjithë rivalët janë të fuqishëm, ashtu si të gjitha skuadrat që janë në Ligën e Kampionëve, ndodhen aty me meritë, sepse kanë pasur një sezon të mrekullueshëm”.
Koordinatori i zonës së futbollit iu ka dërguar edhe një paralajmërim kundërshtarëve: “Rivalët që kemi nuk do të kenë kënaqësi të përballen me ne”.
Lidhur me objektivin e skuadrës për këtë format të ri të Champions League, Krkic nënvizoi: “Ne zgjedhim gjithmonë më të mirën, mbi të gjitha, duke pranuar se jemi një ekip shumë i mirë dhe në rritje”. Natyrisht, synimi i klubit katalanas është të arrijë në 1/8 finale, nëse është e mundur, duke mbetur në mesin e tetë më të mirëve, për të shmangur ‘play off’-in për hyrje në këtë raund.
Ish-futbollisti i Barçës vlerësoi nivelin e mirë të skuadrës, të demonstruar gjatë këtyre ndeshjeve të para zyrtare të sezonit të ri, në të cilat djemtë e Hansi Flick kanë marrë tri fitore (2-1 kundër Valencias, 2-1 kundër Athletic Club dhe 2-1 kundër Rayo Vallecano).
9 pikë nga 9 të mundshme, që i lejojnë katalanasit ta udhëheqin vetëm renditjen e La Liga-s: “Barcelona e ka nisur sezonin e ri në një nivel të lartë. Si klub jemi në një moment të mrekullueshëm, tifozët tanë janë të emocionuar. Tani duam t’ua kthejmë atyre emocionin në Europë”.