Bonucci: Isha si gjeneral te Juventusi. Refuzova dy herë Guardiolën, pastaj edhe PSG-në

7 Tetor 2024
10:58
Alfred Lleshi
back button

Leonardo Bonucci ka folur për mikrofonat e “Sky Sport”. Ish-mbrojtësi tregoi disa informacione në lidhje me karrierën e tij të gjatë: “Shkova te Milani, sepse kisha pasur mosmarrëveshjen e famshme me Allegrin. Doja të qëndroja pranë shtëpisë për shkak të ngjarjeve të njohura, që përfshinin djalin tim.

Nuk shkova të luaja jashtë vendit, sepse kur ndryshon mjedis lindin gjithmonë pikëpyetje. Edhe te Milani po fillonte një cikël i ri, me kaq shumë nënshkrime. Mirabelli dhe Fassone bënë 12 përforcime atë merkato. Dhe më pas, në fund të sezonit, kur u largua i gjithë stafi teknik, më thanë se nuk ka më vend për ty këtu.

Kësisoji, meqë më duhej të largohesha, vendosa të kthehesha te Juventusi. Këto dinamika u bashkuan, por zgjedhja nuk ishte e lehtë, gjithsesi. Në çdo rast ishte krijuar një energji brenda meje, trajnerit dhe klubit, që nuk rridhte më ashtu siç duhej. Pra, mund të isha vetëm unë që mund ta thyeja. Allegri kishte rinovuar pas finales së Champions League. Kur u ktheva te Juventusi, të gjithë bashkë ishim më mirë se më parë”.

A e ka kërkuar ndonjëherë Guardiola? Kësaj pyetjeje i është përgjigjur Bonucci në fjalën e tij: “Dua të jem korrekt dhe i sinqertë, Pep më ka kërkuar edhe në vitin 2016, edhe më 2017, kur shkova te Milani. Natyrisht, në vitin 2016 nuk u realizua për një arsye, sepse Juve nuk do të më kishte shitur kurrë.

Edhe unë isha mirë te Juventusi në atë kohë, ndihesha si gjeneral, gjithçka ishte në rregull. Kur erdh puna për t’u transferuar te Milani, më kërkuan PSG dhe Manchester City, por ia kisha dhënë fjalën klubit kuqezi. Nuk më pëlqente ta prishja akordin, sepse drejtuesit e Milanit më kishin bërë edhe ofertën ekonomike”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit