Borussia Dortmund do ta blejë sërish Sancho? Vetëm nëse Manchester United pranon këtë “tavan”

19 Mars 2024
11:27
Alfred Lleshi
back button

Borussia Dortmund është gati ta blejë sërish kartonin e Jadon Sanchos në baza të përhershme, por vetëm nëse Manchester United do të pranonte më pak se gjysmën e 100 milionë eurove të paguara dy vite e gjysmë më parë. Kaq para u derdhën në arkat e verdhezinjve të Bundesligës nga “Djajtë e Kuq” për ta marrë atë në “Old Trafford”. Lajmi është bërë i ditur nga “Sky Deutschland”.

Sulmuesi anglez, 23 vjeç, u kthye në huazim te Borussia Dortmund në janar, pas përplasjeve të ashpra me Erik ten Hag. Trajneri i Manchester United e përjashtoi Sanchon nga të gjitha ambientet stërvitore të skuadrës së parë, pasi lojtari foli kundër tij në mediat sociale. Vlera e tregut e anësorit anglez ka rënë shumë pas grindjes së tij me trajnerin holandez.

Sancho ka luftuar për t’i përsëritur gjërat e mira që bëri në Bundesligë edhe në Premier League. Meqë nuk i shfaqi dot cilësitë e tij me “Djajtë e Kuq”, vendosi të të rikthehej te BVB. Tashmë, në Gjermani janë të bindur se verdhezinjtë do ta blinin me kënaqësi nga Manchester United. Madje edhe vetë Sancho do të ishte i interesuar të qëndronte te verdhezinjtë, ku duket se është “toka e premtuar” për të.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit