Humbja e tretë në kampionat për Borussia Dortmund, duke zbritur në vendin e shtatë në renditje, 7 pikë nga kryesuesit e Bayern Munich, ka ndërlikuar mjaft pozitat e trajnerit Nuri Sahin.
Skuadra e Dortmund humbi 1-2 ndaj Augsburg në fundjavë dhe situata rreth Nuri Sahin, që në mesjavë u mund me përmbysje 2-5 edhe nga Real Madrid, nuk duket shumë e qetë.
Gjithsesi, sipas “Bild”, trajneri për momentin do të qëndrojë në detyrë, pasi ai ka ende besimin e drejtuesve të klubit: Lars Ricken dhe Sebastian Kehl. Duket se trajnerit i është dhënë një afat kohor për të ndryshuar trendin.
Sahin nuk do të preket deri në pushimin e radhës, në mes të nëntorit. Ndaj, ai ka 4 ndeshje në dispozicion për të treguar se skuadra po e ndjek dhe se situata mund të ndryshojë për mirë.