Dy fitore brenda pak ditësh për Borussia Dortmund, ndaj Leipzig në kampionat dhe Stur Graz në Champions League, duket se kanë larguar disi krizën te skuadra gjermane. Trajneri Nuri Sahin ndihet disi më i qetë dhe mund të vijojë të punojë, me shpresën që skuadra të vijojë me këtë ritëm.
“Ishte një fitore shumë e rëndësishme dhe plotësisht e merituar. Tani jemi më të qetë, pasi fitoret gjithnjë të japin këtë ndjesi për të punuar pa presion në të ardhmen”, tha Sahin.
Kjo ishte fitorja e tretë në katër ndeshje të luajtura këtë sezon në Champions League për Borussia Dortmund. “Jemi në një pozitë të mirë, por nuk duhet të kënaqemi me kaq. Ky është një edicion ndryshe, ndaj fitoret janë të rëndësishme”, tha Sahin.
Trajneri foli me superlativa për Donyell Malen, që shënoi golin e fitores 1-0 ndaj Graz: “Jam i kënaqur dhe jam shumë i lumtur për Donyell Malen dhe golin e tij. Ai tregoi pse është një lojtar kaq i rëndësishëm për ne”.