Bottas më i shpejti në provat e lira në pistën e Silverstone

12 Korrik 2019
17:17
Gentian Spiri

Piloti finlandez Valtteri Bottas ka dominuar provat e lira në pistën e Silverstone, ku ditën e diel do të zhvillohet gara e Çmimit të Madh të Anglisë në Formula 1. Koha e dhënë nga piloti i Mercedes ishte 1’26”732, duke lënë pas shokun e tij të skuadrës Lewis Hamilton, me 69 të mijëtat.

Dy makinat Mercedes ishin shumë pranë njëra-tjetrës, të paarritshme nga Ferrari, që pozicionoi dy pilotët e saj në vendet 3-4. Charles Leclerc (i treti) dueloi disi me dy makinat gjermane, duke qenë pranë tyre më gati 2 të dhjetat, ndërsa Vettel (i katërti) ishte gati gjysmë sekondi më i avashtë.

Pas tyre u rendit makina Red Bull e Pierre Gasly dhe më pas Lando Norris me McLaren, në vendet 5-6.   Këto dy makina u alternuan edhe në vendet 7-8, me Verstappen që u rendit para Sainz.

Të shtunën, në orën 15:00, do të zhvillohen provat zyrtare të Çmimit të Madh të Britanisë së Madhe, ndërsa të dielën, ora 15:10, do të zhvillohet gara.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit