Në atë që dukej si sezoni “të gjithë kundër Guardiolës” në Premier League, me “qytetarët” në kërkim të një “repókeri” historik të panjohur më parë, Manchester City vazhdon të kalojë nëpër një territor të panjohur. Kjo sepse për herë të parë që nga mbërritja e tij në Angli, në verën e vitit 2016, Pep përballet me ‘Boxing Day’ jashtë vendeve që e çojnë në kompeticionet europiane.
“Nuk jam mjaft i mirë. Unë jam shefi, duhet të gjej zgjidhje, por deri tani nuk e kam bërë. Ky është realiteti”, – tha Guardiola pas katastrofës që pësoi në derbin e Manchesterit.
Larg korrigjimit, pas një jave pushimi, kampionët në fuqi të Anglisë shtuan një tjetër humbje (tani janë 9 në 12 ndeshje të fundit) në transfertën e Birminghamit. U mundën 2-1 nga Aston Villa i Unai Emery për herë të dytë me radhë. Ky rezultat ka bërë që Manchester City të zbresë në vendin e shtatë të Premier League, pas 17 javëve kampionat të zhvilluara, me vetëm 27 pikë.
Guardiola, megjithatë, nuk heq dorë: “Kam besim të plotë te këta djem. Disa prej tyre kanë një krenari të jashtëzakonshme. Duhet të gjej një mënyrë që të kthehemi, më vonë ose më shpejt”.
Gjatë tetë sezoneve që ka kaluar në Angli, trajneri spanjoll nuk ka përjetuar një situatë kaq delikate si kjo aktuale. Ai ka dominuar Premier League me dorë të hekurt, duke fituar titullin në gjashtë raste. Dy herët e vetme që i shpëtoi titulli ishin: sezoni i tij debutues (2016-2017) dhe më pas më 2019-2020. Në të dyja rastet, ai mbërriti në ‘Boxing Day’ me 7 pikë më pak se Chelsea dhe 14 pikë më pak se Liverpool, përkatësisht.
“Ky ekip ka qenë konsistent për një kohë të gjatë, i kemi thyer të gjitha rekordet. Tani po thyejmë rekorde në anën tjetër (ato negative). Duhet të gjejmë një mënyrë për të dalë nga kjo krizë e gjatë. Jeta ta jep këtë sfidë dhe duhet të përballesh me të”.
Dominimi i tij në Premier League është i dukshëm. Megjithatë, rruga për të ndërtuar një vitrinë të tillë trofesh nuk ka qenë aspak e lehtë. Është fakt që në katër nga gjashtë herët kur e ka ngritur titullin, Manchester City nuk ishte lider pas 17 javëve të para të zhvilluara. Prandaj, asnjëherë nuk duhet të quhet i vdekur ky ekip.
Është e vërtetë që ai nuk ka përmbysur ndonjëherë një distancë prej 12 pikësh nga kreu, që mund të rritet në 15 pikë nëse Liverpool-i e fiton ndeshjen e tij të prapambetur në derbin e Merseyide. Ky skenar ka bërë që Guardiola të fillojë të shqyrtojë objektiva të tjerë për ta shpëtuar sezonin: “Aktualisht nuk mund të konkurrojmë, mund të mbijetojmë. Kualifikimi në Champions nuk do të jetë i lehtë, por ne do ta arrijmë”.