Braida komplimenton Napolin: De Bruyne është fenomen, do ta kisha marrë te Milani

20 Qershor 2025
8:18
Alfred Lleshi
back button

Ariedo Braida, drejtues i njohur sportiv, ka folur sot për “Kiss Kiss Napoli”, duke komentuar aktualitetin e Napolit. Këto ishin fjalët e tij: “Për mua Kevin De Bruyne është një fenomen, përfaqëson prototipin ideal të mesfushorit. Di të bëjë gjithçka.

E kam njohur kur ishte shumë i ri dhe luante ende në Belgjikë, më la menjëherë përshtypje. Atë dhe Lukakun do t’i kisha sjellë te Milani, por në vlerësimet personale, De Bruyne ishte i preferuari im. Ai ka tiparet e një kampioni. Duhet t’i bëj komplimente Napolit”.

Edhe Dario Marcolin thotë mendimin e tij për De Bruyne dhe merkaton e Napolit: “Chiesa është një futbollist i dashuruar pas topit, preferon më shumë driblimin sesa punën e sakrificës. De Bruyne? Një lojtar si ai, Napoli nuk e ka pasur prej kohësh. Për mua, i fundit i këtij niveli ka qenë Hamsik. De Bruyne mund të luajë edhe si sulmues i dytë, aq vendimtar është.

Një lojtar i tillë rrit përvojën e ekipit. Për Chiesa, të shkonte në një ekip ku luan De Bruyne, do të ishte një gjë e madhe. Belgu ka vizion, pasime dhe lëvizje të ndryshme nga të tjerët, së shpejti mbush 34 vjeç dhe ende është në kulmin e formës së tij.

Musah? Conte e do sepse ka një fuqi fizike ndryshe nga të tjerët, sjell intensitet dhe mund të luajë në disa role. Askush nuk e ka motorin e Musah, mund të luajë mesfushor ose edhe si mbrojtës i djathtë. Është një lojtar depërtues, por qendra e ulët e gravitetit dhe grinta e tij mund të bëjnë diferencën”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit