Braida “voton” Napolin për titull: Me Conte dhe Lukaku është i destinuar ta fitojë

18 Tetor 2024
8:17
Alfred Lleshi
back button

Menaxheri historik i Milanit dhe Barcelonës, Ariedo Braida, foli në “Radio Marte” dhe u ndal te Napoli, shanset e tij për ta fituar menjëherë titullin, në vitin e parë të drejtimit të Antonio Contes: “Conte është shumë i mirë, klubi menaxhohet në mënyrë të shkëlqyer, skuadra është e një standardi të lartë. Blerja e Lukakut ka miratimin tim absolut, belgu ndryshon ekuilibrin, në Itali edhe më shumë se në Angli. Napoli është i destinuar ta fitojë titullin, ndaj duhet të rrezikojë për këtë”.

Algoritmet thonë se Napoli mund të mos triumfojë?
Algoritmet janë të dobishëm, por nuk mund të vendosin gjithçka. Ato nuk kanë as sy dhe as zemër. Nuk mund ta neglizhojmë aspektin njerëzor, numrat nuk i kanë karakteristika të caktuara. Interi? Po bën shumë mirë, ka një skuadër të nivelit më të lartë dhe do të luftojë për ta fituar titullin deri në fund. Juventusi? Po tregon se nuk e ka gjetur ende ekuilibrin që jep siguri për fitore. Ka një trajner që po i jep skuadrës ide të reja futbolli, bardhezinjtë do të bëhen shumë konkurrues me kalimin e kohës.

Napoli pa Kupat e Europës…
Është një avantazh i madh, sepse i lejon Contes të punojë gjatë gjithë javës në funksion të ndeshjes së kampionatit. Për më tepër, të mos luash çdo tri ditë, padyshim që mund të përfaqësojë një avantazh të madh për Napolin.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit