Brazili, leksion taktik nga Ancelotti, me ndryshimet dhe lëvizjet e tij përmbysi Japoninë

30 Qershor 2026
8:21
Alfred Lleshi
back button

Në minutën e 45-të, teksa skuadra po kthehej në dhomat e zhveshjes, Brazili ishte pranë një eliminimi të bujshëm. Japonia kryesonte 1-0 dhe, në përgjithësi, jepte përshtypjen se nuk po vuante aspak futbollin e “Seleção”. Më pas në skenë doli ylli i vërtetë i kësaj kombëtareje; trajneri Carlo Ancelotti.

Italiani, gjatë pushimit mes dy pjesëve, riorganizoi skuadrën duke ndryshuar plotësisht planin e lojës, të ndërtuar mbi tri parime: shfrytëzimin e gjerësisë së fushës, krosimet dhe mbushjen e zonës kundërshtare me depërtimet e mesfushorëve. Në pjesën e parë Brazili ishte përpjekur të depërtonte në qendër, por pa asnjë sukses.

Kështu, ndryshe nga 45 minutat e para, “Seleção” mori menjëherë kontrollin e lojës në pjesën e dytë. Rastet e pastra, që munguan plotësisht në pjesën e parë, nisën të vinin njëri pas tjetrit. Të gjitha lindën nga i njëjti plan taktik: krosime nga krahët dhe goditje me kokë të mesfushorëve që futeshin në zonë nga prapavija.

Në aksionin e tretë pothuajse identik erdhi goli i barazimit, i realizuar nga Casemiro me një goditje të saktë me kokë. Vetëm pak minuta më parë, atij i ishte mohuar goli nga një ndërhyrje spektakolare e mbrojtësve japonezë mbi vijën fatale.

Përveç intuitës taktike, Ancelotti goditi në shenjë edhe me zëvendësimet. Nga stoli hodhi në fushë “asin nën mëngë”, Gabriel Martinelli, i cili rezultoi vendimtar për kualifikimin në fazën e 1/8-ve finale.

“Para së gjithash donim t’i jepnim një shtysë skuadrës, sepse ai është lojtar me intensitet të madh dhe, sa herë hyn në fushë, jep gjithmonë maksimumin”, – tha trajneri për anësorin e Arsenalit.

Më pas, Ancelotti shpjegoi edhe kthesën taktike të ndeshjes: “Në pushimin mes pjesëve iu thashë lojtarëve të mos humbnin durimin, sepse do të shënonim. Herët a vonë do ta gjenim golin, isha i sigurt për këtë. Gjëja më e rëndësishme ishte të ruanim ekuilibrin, që të mos e ndërlikonim ndeshjen. Dhe skuadra e bëri këtë shumë mirë”.

Këto ishin fjalët e trajnerit në konferencën për shtyp pas fitores ndaj Japonisë, një skuadër që ai e cilësoi si: “Shumë të organizuar, shumë të rrezikshme dhe me lojtarë shumë të fortë në duelet fizike”.

Në vijim, Ancelotti analizoi edhe qasjen e ndeshjes: “Në fillim të takimit skuadra nuk ishte e çorientuar si në pjesën e parë kundër Marokut. Plani ynë ishte të krijonim më shumë hapësira në qendër, por nuk funksionoi për shkak të cilësisë së mbrojtjes japoneze. Më pas ndryshuam gjithçka, duke kërkuar të krijonim më shumë rrezik në zonë përmes krosimeve”.

Në përfundim, trajneri italian theksoi: “Në futboll duhet të vuash, është pjesë e lojës. Megjithatë, kisha besim te skuadra jonë, sepse po luanim mirë. E dimë se jemi në rrugën e duhur. Duhet të përmirësohemi, të pushojmë dhe më pas do të shohim se kush do të jetë kundërshtari ynë”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit