Bremer i nënshtrohet operacionit në gju, pas dëmtimit të rëndë. Ja prognoza e rehabilitimit të mbrojtësit brazilian

8 Tetor 2024
14:25
Alfred Lleshi
back button

Gleison Bremer iu nënshtrua një operacioni në gju, pas lëndimit të rëndë të pësuar në ndeshjen Leipzig-Juventus. Qendërmbrojtësi brazilian, pas një konsultimi të kryer të hënën, iu nënshtrua operacionit të nevojshëm të martën, më 8 tetor.

Operacioni ishte një sukses i përsosur, ndërsa tani Bremer do të fillojë procesin e gjatë të rehabilitimit. “Operacioni, i kryer në ‘Hôspital Privé Jean Mermoz’ të Lyon-it nga doktori Bertrand Cottet-Sonnery, në prani të menaxherit shëndetësor të Juventusit, Dr. Luca Stefanini, ka shkuar në mënyrë perfekte dhe lojtari do të fillojë procesin e rehabilitimit në ditët në vijim me qëllim rifillimin e aktivitetit konkurrues”, – thuhet në njoftimin për shtyp të Juventusit.

Bremer u dëmtua që në minutat e para të ndeshjes Leipzig-Juventus më 2 tetor, kur, duke u përplasur me një kundërshtar, këmba e tij e majtë mbeti e vendosur në tokë, duke shkaktuar një kthesë të panatyrshme të gjurit.

Ndalimi i brazilianit padyshim që do të jetë shumë i gjatë. Mbrojtësi pothuajse me siguri nuk do të kthehet në kohë për fundin e sezonit. Shpresa e Juvnetus është ta rikthejë atë në qershor 2025, kur bardhezinjtë do të jenë të zënë në SHBA për Kupën e Botës për Klube.

Në mungesë të brazilianit, të paktën deri në janar, Thiago Motta do të ketë në dispozicion si qendërmbrojtës Kalulu, Gatti, Danilo dhe Cabal. Më pas është hipoteza e përshtatjes në këtë rol të të riut Savona apo Manuel Locatelli, por vetëm në rast nevoje ekstreme dhe në pritje të një ndërhyrjeje të mundshme në merkaton e dimrit.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit